Putin thotë se kishte “dakordësi” me Trumpin për përfundimin e luftës në Ukrainë - Gazeta Express
string(78) "putin-thote-se-kishte-dakordesi-me-trumpin-per-perfundimin-e-luftes-ne-ukraine"

Lajme

Gazeta Express

01/09/2025 11:34

Putin thotë se kishte “dakordësi” me Trumpin për përfundimin e luftës në Ukrainë

Lajme

Gazeta Express

01/09/2025 11:34

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se ka pasur “dakordësi” me presidentin amerikan, Donald Trump, për përfundimin e luftës në Ukrainë, gjatë takimit të tyre në Alaskë, muajin e kaluar.

Megjithatë, ai nuk tha nëse do t’i pranonte bisedimet e paqes me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, të ndërmjetësuara nga Trump.

Duke folur gjatë një samiti në Kinë, Putin vazhdoi të mbronte vendimin e tij për të pushtuar Ukrainën dhe fajësoi edhe një herë Perëndimin për luftën.

Pas takimit në Alaskë, muajin e kaluar, i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, tha se Putin ka rënë dakord për garancitë e sigurisë për Ukrainën – si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme për paqe në të ardhmen – megjithëse Moska nuk e ka konfirmuar ende këtë.

Putin foli në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, ku u takua me udhëheqësin e Kinës, Xi Jinping, dhe atë të Indisë, Narendra Modi.

Ai i falënderoi ata për mbështetjen e tyre dhe për, siç tha, përpjekjet “për të lehtësuar zgjidhjen e krizës në Ukrainë”.

Kina dhe Rusia janë blerëset më të mëdha të naftës së papërpunuar ruse, ndaj edhe kritikohen nga Perëndimi për mbështetje të ekonomisë ruse.

Në fjalimin e tij, Putin tha gjithashtu se shpreson se “dakordësitë e arritura” në takimin e tij me Trumpin në Alaskë, janë “duke ecur në këtë drejtim, duke hapur rrugë për paqe në Ukrainë”.

Në të njëjtën kohë, ai përsëriti qëndrimin e tij se “kjo krizë nuk është shkaktuar nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, por ishte rezultat i një grushtshteti në Ukrainë, i cili u mbështet dhe u provokua nga Perëndimi”.

Ai, po ashtu, ua atribuoi luftën “përpjekjeve të vazhdueshme të Perëndimit për ta tërhequr Ukrainën në NATO”.

Putin e ka kundërshtuar vazhdimisht mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës në NATO.

Të premten, presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se Trump i ka dhënë atij afat deri të hënën për të pranuar bisedimet e paqes me Zelenskyn.

“Nëse nuk pranon, kjo tregon se Putin e ka manipuluar sërish Trumpin”, tha Macron.

Megjithatë, më 22 gusht, Trump i tha CNN-it se po i jepte Putinit “disa javë” kohë për t’u përgjigjur.

Pas takimit me Putinin muajin e kaluar, Trump kërkoi një marrëveshje të përhershme paqeje.

Ai takoi edhe presidentin ukrainas, Zelensky, dhe udhëheqës të lartë evropianë, dhe theksoi se pjesë e marrëveshjes nuk do të ishte antarësimi i Ukrainës në NATO.

Ai sugjeroi se do të kishte garanci sigurie për Ukrainën dhe se SHBA-ja do të ishte e përfshirë në to. /REL/