string(58) "putin-ndryshon-strategjine-fokus-te-territoret-e-pushtuara"

Lajme

Gazeta Express

02/05/2025 13:36

Putin ndryshon strategjinë: Fokus te territoret e pushtuara

Lajme

Gazeta Express

02/05/2025 13:36

Të dhënat nga shërbimet perëndimore të inteligjencës tregojnë se presidenti rus Vladimir Putin mund të ketë ndryshuar qëllimet e tij afatshkurtra në luftën kundër Ukrainës, duke u përqendruar tani më shumë në forcimin e kontrollit mbi territoret e pushtuara dhe në rimëkëmbjen e ekonomisë ruse – raporton CNN, duke iu referuar burimeve anonime nga qarqet diplomatike dhe të inteligjencës.

Ky zhvillim përfaqëson një ndryshim të rëndësishëm në krahasim me vlerësimet e mëhershme perëndimore, që sugjeronin se Putin besonte se kishte avantazh në front dhe mjaftueshëm resurse njerëzore për të vazhduar një luftë të gjatë me qëllim përfundimtar pushtimin e të gjithë territorit të Ukrainës.

Dy burime amerikane të afërta me çështjen thanë për CNN se kjo perceptim i ri – se Putin po lëviz drejt një qëndrimi më të përmbajtur – ka qenë i dobishëm për presidentin Donald Trump dhe ekipin e tij negociator, të cilët besojnë se lideri rus mund të jetë tani më i hapur për të shqyrtuar një marrëveshje paqeje.

Megjithatë, zyrtarë të lartë amerikanë mbeten skeptikë ndaj qëllimeve të Putinit, pavarësisht pretendimeve të tij të përsëritura për paqe dhe një “ofertë jashtëzakonisht bujare” nga SHBA, që do t’i lejonte Moskës të mbajë pjesën më të madhe të territoreve të pushtuara në Ukrainë.

Sipas burimeve të CNN, ekziston një bindje e përhapur në qarqet perëndimore se edhe nëse Rusia pranon një marrëveshje të përkohshme, ajo mund të shfrytëzojë këtë periudhë për të marrë frymë, për të rifuqizuar resurset dhe për të rifilluar luftën në një fazë të mëvonshme me qëllim zgjerimin e mëtejmë të territorit të pushtuar.

“Unë mendoj se ai ndoshta po mendon, nuk dua të them më me përulësi, por më realistisht për qëllime të arritshme në një të ardhme të afërt”, tha një zyrtar i lartë i inteligjencës perëndimore për CNN.

Raporti thekson gjithashtu se presioni në rritje nga një administratë gjithnjë e më e paduruar e Trumpit, e cila ka kërcënuar me sanksione të reja ndaj Rusisë, në kombinim me dobësinë ekonomike të vendit, e kanë vënë Putinin në një pozitë potencialisht të vështirë.

Gjatë negociatave, një rëndësi e veçantë u dha edhe mundësisë së investimeve amerikano-ruse nëse lufta përfundon, çfarë u përshkrua nga Uashingtoni si një “mundësi historike”.

“Çdo gjë në thelb varet nga ajo që SHBA është e gatshme të vë në tryezë, në mënyrë që ai (Putin) të mund jo vetëm ta paraqesë këtë si një fitore përpara popullit të tij, por edhe të ndiejë se ka arritur diçka që ia vlen për një pauzë të konsiderueshme, ndoshta për të vazhduar luftën më vonë”, tha një tjetër zyrtar për CNN.

Në raport përmendet gjithashtu se Putin vazhdon t’i referohet shpesh origjinës historike të popullit rus dhe mbetet i përkushtuar ndaj qëllimeve afatgjata për të pushtuar pjesë të tjera të Ukrainës, veçanërisht ato që i konsideron si “djepi i civilizimit rus”.

Një zyrtar i lartë evropian gjithashtu deklaroi se Moska është e gatshme të “luajë lojën” me SHBA-në duke e ulur përkohësisht nivelin e objektivave të saj për të përmirësuar marrëdhëniet me Perëndimin, por se “nuk ka hequr dorë aspak nga synimet e saj maksimaliste në këtë luftë”.

Sipas burimeve të inteligjencës amerikane, të informuara edhe me diskutimet brenda administratës Trump, kontrolli mbi Ukrainën mbetet prioriteti kryesor i Putinit, krahas ruajtjes së regjimit të tij, dhe se ai është i gatshëm të shfrytëzojë çdo shenjë të gatishmërisë për negociata nga Uashingtoni si përparësi taktike për qëllime strategjike afatgjata.