Presidenti rus Vladimir Putin nuk do të udhëtojë në samitin BRICS në Brazil javën e ardhshme për shkak të urdhër-arrestit të lëshuar kundër tij nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP), tha sot ndihmësi i Kremlinit për politikën e jashtme Yuri Ushakov.
GJNP lëshoi urdhër-arrestin në vitin dymijenjëzetetre, pak më shumë se një vit pasi Rusia filloi një luftë në shkallë të plotë kundër Ukrainës, duke akuzuar Putin për krime lufte, raporton KosovaPress.
Rusia nuk e ka nënshkruar traktatin themelues të GJNP-së dhe e ka shpallur urdhër-arrestin të pavlefshëm, por kjo do të thotë që Putin duhet të vlerësojë rrezikun e arrestimit të mundshëm nëse udhëton në një nga shtetet që janë nënshkruese të statutit të GJNP-së.
Në vitin dymijenjëzetetre, Putin vendosi të mos udhëtonte në një vend të tillë, Afrikën e Jugut, për samitin e BRICS, por vitin e kaluar, ai u prit me qilim të kuq në Mongoli, edhe pse ky vend është gjithashtu anëtar i GJNP-së.
Ushakov tha se Putin do të marrë pjesë në samitin e BRICS në Brazil më gjashtë e shtatë korrik nëpërmjet video-lidhjeje.
“Kjo për shkak të disa vështirësive në kontekstin e kërkesave të GJNP-së. Në këtë kontekst, qeveria braziliane nuk mundi të merrte një qëndrim të qartë që do t’i lejonte presidentit tonë të merrte pjesë në këtë takim”, tha Ushakov.
Në vend të Putin, në samit do të merr pjesë ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov. Sipas raportimeve të medias, edhe presidenti kinez Xi Jinping nuk do të merr pjesë në samit, por nuk janë dhënë arsyet e mospjesëmarrjes së tij.
BRICS është një forum për bashkëpunim midis një grupi ekonomish kryesore në zhvillim. Ai përfshin dhjetë shtete – Brazili, Kina, Egjipti, Etiopia, India, Indonezia, Irani, Rusia, Afrika Jugore, Emiratet e Bashkuara Arabe.