string(89) "putin-i-kenaqur-qe-i-shkoi-ne-moske-vuciq-i-lype-kontrate-me-te-mire-per-gazin-nese-guxoj"

Lajme

Gazeta Express

09/05/2025 22:24

Putin i kënaqur që i shkoi në Moskë, Vuçiq i lypë kontratë më të mirë për gazin: Nëse guxoj …

Lajme

Gazeta Express

09/05/2025 22:24

Gjatë një takimi, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, deklaroi se “e vlerëson lart” faktin që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte ardhur në Moskë, “edhe pse kishte përpjekje për ta bindur të mos merrte pjesë”.

Dy presidentët folën për rritjen e shkëmbimit tregtar, ndërsa Vuçiq theksoi se furnizimi me gaz është “çështje jetike”, raporton media serbe, N1, transmeton Gazeta Express.

Vuçiq sot falënderoi Putinin për mbështetjen e madhe, duke shtuar se Serbia dhe Rusia kanë bashkëpunim të mirë në fusha të ndryshme, por se ky bashkëpunim duhet të rritet dhe forcohet në të gjitha drejtimet.

“Ju e dini që kemi një çështje me rëndësi jetike – ajo është furnizimi me gaz. Marrëveshja jonë afatgjatë ka kushte shumë të mira dhe ju falënderoj për këtë. Shpresojmë që të mund t’i mbajmë të njëjtat kushte, nëse është e mundur, apo ndoshta edhe t’i përmirësojmë, nëse guxoj të them,” u shpreh Vuçiq gjatë takimit me presidentin rus në Kremlin.

Media serbe raporton se Putin deklaroi se treguesit e shkëmbimit tregtar midis Serbisë dhe Rusisë nuk janë optimalë dhe shtoi se, përveç kësaj, ka edhe një rënie, ndaj është e nevojshme të mendohet se si të kapërcehet kjo tendencë dhe të kthehet në drejtim të kundërt.

Po ashtu, ai theksoi se bashkëpunimi në fushën e energjisë është më i rëndësishmi.

“Elementi kyç i bashkëpunimit tonë tregtar-ekonomik është energjia, dhe Rusia mbetet garant i sigurisë energjetike të Serbisë, duke siguruar rreth 85 për qind të nevojave të saj energjetike. Përmes gazsjellësit ‘Rryma Turke’ bëhen furnizimet me gaz natyror për Serbinë. Për më tepër, Gazprom jo vetëm që është furnizues i besueshëm, por gjithashtu u përgjigjet kërkesave të miqve serbë duke siguruar sasi shtesë përveç atyre të parashikuara në marrëveshje. Kjo krijon një bazë të sigurt për një aktivitet ekonomik të qëndrueshëm në Serbi,” theksoi presidenti rus.

Putin gjithashtu nënvizoi se Rusia e vlerëson lart pjesëmarrjen e presidentit serb në paradë në Moskë, edhe pse thekson se kishte përpjekje për ta dekurajuar pjesëmarrjen dhe përkundër të gjitha vështirësive logjistike.

Vuçiq shtoi se Putin ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet dy vendeve.