Një gjykatë në Rusi dënoi me gjobë legjendën e muzikës rrok, Yuri Shevchuk pasi foli kundër luftës në Ukrainë gjatë një koncerti të mbajtur në mes të muajit maj.
Gjykata e Ufa-s i vendosi një gjobë prej 800 eurosh këngëtarit, i cili sipas saj, me qëndrimin e mbajtur kishte diskretituar forcat e armatosura ruse, një veprim i palejuar dhe i dënueshëm në Rusi që prej nisjes së të ashtuquajturit ‘operacion special’ në Ukrainë.
Gjatë koncertit të mbajtur më 18 maj në Ufa, Yuri Shevchuk iu drejtua turmës me shprehjen “Atdheu nuk është të puthësh të pasmet e presidentit gjatë gjithë kohës”.
Ai shtoi se të rinjtë e Ukrainës dhe Rusisë po vriten pa asnjë arsye, vetëm për planet e Cezarit rus, duke iu referuar në këtë mënyrë presidentit Putin.
Edhe pse Shevchuk u dënua të paguante një gjobë, ligji penal rus parashikon vepra të këtij lloji me burgim deri në pesë vjet.
Lideri i grupit DDT ka denoncuar ndër vite ndikimin e Putinit, madje duke e sfiduar atë në një debat televiziv në vitin 2010. Ai ishte gjithashtu një nga nxitësit e serie protestash në Rusi në 2011-2012, të cilat u shtypën nga Kremlini.