“Puskas Arena”, stadiumi i vetëm që do t'i presë ndeshjet e "Euro 2020" me kapacitet të plotë - Gazeta Express
string(87) "puskas-arena-stadiumi-i-vetem-qe-do-ti-prese-ndeshjet-e-euro-2020-me-kapacitet-te-plote"

“Puskas Arena”, stadiumi i vetëm që do t’i presë ndeshjet e “Euro 2020” me kapacitet të plotë

Sport

Gazeta Express

11/06/2021 14:23

Hungaria është një nga 11 vendet organizatore të Euro 2020, teksa do të presë 4 nga 51 sfidat  e këtij kompeticioni në stadiumin e saj modern në Budapest “Puskas Arena”.

Ndryshe nga shtetet e tjera organizatore të Euro 2020, Hungaria është shteti që ka numrin më të ulët të infektimeve me COVID-19 kjo edhe sepse pjesa më e madhe e popullsisë janë vaksinuar, kështu në Budapest emocionet e Europianit do të përjetohen maksimalisht dhe tifozët do ta shijojnë në maksimum këtë event magjik.

Lexo Edhe:

“Puskas Arena” do të jetë i vetmi impiant i turneut që do të ketë një kapacitet prej 100 për qind. 65 mijë persona do të jenë në tribunë për katër ndeshjet që do luhen në tokën hungareze.

Dhe pse do të përdoret xhel dizinfektues për duart dhe termometër në hyrje, tifozët që kanë një certifikatë imuniteti apo një tampon negativ të orëve të fundit, mund të hyjnë pa probleme. Zëdhënësi i Federatës Hungareze të Futbollit u shpreh se mbajtja e maskës nuk është e detyrueshme, por e këshillueshme.

Për shkak të pandemisë, Federata Hungareze i ka kërkuar tifozëve të tërheqin biletat një ditë para ndeshjes, të planifikojnë udhëtimin në kohë, të përdorin transportin publik, dhe pa bagazhe për të shmangur radhët e gjata. Jo shumë larg, në parkun e qytetit, pritet të mblidhen shumë njerëz. Në zonën e tifozëve ende në ndërtim mijëra persona mund të shohin ndeshjet në ekranet gjigante. Dhe meqenëse çdo gjë është në ambient të hapur, të pranishmit nuk do të kenë nevojë për tampon me rezultat negativ për Covid-19. Për sfidën e së martës mes Hungarisë dhe Portugalisë UEFA ka shitur të gjitha biletat me përfaqësuesen maxhare që e mbështetur fuqishëm edhe nga publiku vendas do të kërkojë të bëjë surprizën në grupin F që konsiderohet edhe si grupi i ferrit pasi aty bëjnë pjesë edhe Franca e Gjermania. /SS/