Pushteti s'pa rrezik, por pasi Hovenier tha se partneriteti është prekur, Konjufca e pranon: S'ke çka me interpretu - Gazeta Express
string(110) "pushteti-spa-rrezik-por-pasi-hovenier-tha-se-partneriteti-eshte-prekur-konjufca-e-pranon-ska-cka-me-interpretu"

Lajme

Gazeta Express

20/02/2024 12:14

Pushteti s’pa rrezik, por pasi Hovenier tha se partneriteti është prekur, Konjufca e pranon: S’ke çka me interpretu

Lajme

Gazeta Express

20/02/2024 12:14

“Nuk ke çka me interpretu”. Kryetari i Kuvendit e pranoi se çështja e dinarit i ka prekur raportet e Kosovës me SHBA-në. E pranoi pasi ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier tha se “kjo situatë e ka prekur partneritetin tonë”, duke thënë se nuk është “aspak i vërtetë” konstatimi që kryeministri Albin Kurti e bëri, se “nuk po rrezikohet” partneriteti.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Kyerparlamentari Glauk Konjufca e pranoi se çështja e zbatimit të rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës e cila e heq nga përdorimi dinarin serb në vend, i ka acaruar raportet me SHBA-në, dhe siç tha vetë në një paraqitje të mbrëmshme, “nuk ka çka me interpretu aty”.

“Mendoj që ajo ishte shqetësuese. Nuk ke çka me interpretu aty. Dmth ishte një që… ‘ne dëshirojmë që të trajtohemi me partneritet nga ana e Kosovës'”, tha Konjufca në një intervistë për Demos, duke komentuar deklaratën e Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, i cili tha se Qeveria e ka vënë në pikëpyetje raportin me SHBA-në.

“Ata po thonë që ju përmes këtyre veprimeve kështu, ju po na befasoni. E partneriteti, është mos me u befasu”, pohoi kryetari i Kuvendit.

Pranimi i njërit prej tre krerëve të shtetit vjen katër ditë pasi ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier tha se çështja e dinarit tashmë e ka prekur raportin me Kosovën.

Në mënyrë më së paku diplomatike, Hovenier tha në një konferencë për media të enjten se çfarëdo sugjerimi se raporti mes Kosovës dhe SHBA-së është i mirë “nuk është aspak i vërtetë”.

“O’Brien e bëri të qartë se nëse Qeveria e Kosovës nuk na konsideron partnere, as ne nuk do ta konsiderojmë të tillë. Kam dëgjuar në intervista se kjo situatë nuk ka ndikuar në marrëdhëniet tona. Dua të jem i qartë, thjesht nuk është e vërtetë. Kjo situatë ka prekur partneritetin tonë. Çdo shpjegim tjetër është keqkuptim”, deklaroi Hovenier.

Ambasadori amerikan kishte pasur një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Qeveri në fillim të këtij muaji, nga ku doli duke thënë se mosdëgjueshmëria e Ekzekutivit ndaj kërkesës së SHBA-së për ta shtyrë zbatimin “do të ketë ndikim në cilësinë e partneritetit tonë”.

Pak më shumë se një javë pas atij takimi do të vinte reagimi më i ashpër amerikan. Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien tha se Qeveria e Kosovës e ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara.

“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta publikisht. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”, tha O’Brien në një intervistë për Zërin e Amerikës kur u pyet për mundësinë që SHBA-ja të vendosë masa ndëshkuese ndaj Kosovës, ashtu siç ka bërë Bashkimi Europian në verë të vitit të kaluar.

Konferenca e fundit Hovenier erdhi pasi Kurti insistoi se nuk e sheh të rrezikuar partneritetin me SHBA-në.

“Republika e Kosovës nuk ka partner, aleat edhe mik të rëndësishëm sikurse Shtetet e Bashkuara, kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj unë si kryeministër i Kosovës”, tha Kurti, duke përsëritur fjalët “nuk po rrezikohet”, pas pyetjeve të gazetarëve për partneritetin me Amerikën. Këtë deklaratë e bënte një ditë pasi Hovenier të thoshte se kjo nuk ishte e vërteta.

Kryeministri insiston në planin 10-pikësh të BQK-së për zbatimin e rregullores së re, duke thënë se ajo “nuk ka paraparë asnjë masë ndëshkuese”.

“Pra pa ndëshkim dhe pa incident, ne duam të ecim përpara. Kushtetutshmëria dhe ligjshmëria janë prioriteti ynë, por njëkohësisht ne kujdesemi edhe për paqe e siguri, kujdesemi edhe për mirëqenien e qytetarëve serbë”, thotë Kurti.

Presidentja Vjosa Osmani tha dje se “nuk do duhej të krijohej një përshtypje që dikush po kërkon prej nesh që mos ta respektojmë Kushtetutën tonë, sepse nuk është e vërtetë”.

“E tëra që është duke u diskutuar është një plan transicioni për zbatimin e Rregullores së BQK-së. Pra, që s’ka të bëjë me punën e BQK-së”, tha ajo, duke kërkuar të gjendet një zgjidhje e përbashkët.