Pushteti i kamuflimit - Gazeta Express
string(21) "pushteti-i-kamuflimit"

OP/ED

Gazeta Express

23/07/2021 10:57

Pushteti i kamuflimit

OP/ED

Gazeta Express

23/07/2021 10:57

Mungesa e transparencës dhe llogaridhënies janë kritikuar nga Lëvizja Vetëvendosje në plot raste në të kaluarën. Por, ditët e fundit, dy vendime të rëndësishme të shumicës në pushtet janë karakterizuar pikërisht nga mungesa e transparencës dhe llogaridhënies. Gjithçka është përpjekur të kamuflohet dobët e joprofesionalisht.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Dy javë iu deshën zëvendësministrit Hysen Durmishi që të ndërrojë mendje dhe të pezullojë marrëveshjen e tiketave ngjitëse për automjete. Me arsyetimin se paska gjetur dokumente e raporte kontradiktore me njëra-tjetrën, ai u përpoq që vendimin ta paraqesë si njëfarë favori për qytetarët e Kosovës. Pra nga e njëjta marrëveshje, të cilën para dy javësh e mbronte me ngulm, të enjten u detyrua të tërhiqet.

Që nga dita kur u bë publike se kosovarët duhet të paguajnë nga pesë euro për tiketë, reagimet nuk u ndalën. Një kompani do ta kishte monopolin në këtë biznes dhe do të përfitonte rreth dy milionë euro në vit. Pra, nga heqja e një monopoli për homologimin e automjeteve, po ofrohej një monopol tjetër.

Është pak e besueshme që iniciativën për tiketën Durmishi ta ketë marrë pa njohurinë e shefave të tij. Siç është pak e besueshme që ai të heq dorë nga marrëveshja vetëm sepse paska gjetur dokumente kontradiktore. Ai u përpoq të tërhiqet nga marrëveshja nëpërmjet një kamuflimi, madje duke e përcjellë vendimin e tij me vendimin tjetër për përgjysmimin e çmimit të aplikimit për patentshoferë.

Në fjalorin e gjuhës shqipe fjala “kamuflim” nënkupton “formë, mënyrë a mjet që përdor dikush për të fshehur ose për të maskuar veprimet e qëllimet e tij”. Kështu veproi zëvendësministri në tentimzhvatjen prej pesë eurosh, për secilin automjet të regjistruar në Kosovë.

Por, përtej vendimit për t’u tërhequr nga marrëveshja, mbeten një varg dilemash të cilave duhet dhënë përgjigje: pse Durmishi ishte i bindur para dy javësh se po bënte gjënë e duhur dhe tash ndryshoi mendje? Nëse marrëveshja paska qenë e dobishme për anëtarësimin e Kosovës në Kartonin e Gjelbër, pse ai nuk vazhdoi ta mbrojë me ngulm atë? Përveç presionit publik, çfarë ndikoi tjetër që ai të pezullojë marrëveshjen? Këtyre pyetjeve dhe të tjerave si këto duhet t’iu jepet përgjigje jo vetëm nga ai, por edhe nga ministri e kryeministri. E për veprimet e veta, Durmishi duhet të tërhiqet nga detyra, si marrje përgjegjësie për skandalin. Nëse këtë nuk e bën ai, atëherë duhet ta shkarkojë kryeministri.

* * *

Thuajse paralelisht me procesin e përpjekjes për të përligjur marrëveshjen për tiketën ngjitëse, është zhvilluar një tjetër proces kamuflimi. Bëhet fjalë për intervistimin e kandidatëve për anëtarë të bordit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM). Duke e pasur shumicën edhe në komisionin ad-hoc për intervistim, shumica qeverisëse ka vendosur që intervistimi i kandidatëve të bëhet larg syve të mediave dhe të shoqërisë civile. Pra, procesi nuk është monitoruar as përcjellë nga mediat, pavarësisht se bëhet fjalë për një institucion kushtetues shumë të rëndësishëm që ka të bëjë me mediat.

Deputetë të shumicës u përpoqën që gjithë procesin jotransparent ta arsyestojnë me çështje teknike e procedurale, por një deputete e opozitës, pjesë e komisionit, deklaroi se kryesuesi i komisionit që nga fillimi kishte vendosur që intervistimi i kandidatëve të mos monitorohet për shkak se ata mund të stresoheshin.

Emrat e kandidatëve dhe pikët që ata kanë fituar në intervistë janë rekomanduar për votim, por askush përveç deputetëve të komisionit nuk e di se për çfarë janë pyetur ata, si janë vlerësuar, a ka pasur përpjekje për të favorizuar ndonjërin a ndonjërën etj. Rrjedhimisht, kushdo që zgjidhet anëtar bordi nga ta nuk e kanë legjitimitetin e duhur për shkak se kanë kaluar nëpërnmjet një procesi jotransparent. Përtej emrave të përveçëm që mund të kenë marrë më shumë pikë e që mund të jenë mbështetës të pushtetit, e rëndësishme është që publiku të sigurohet se gjithçka ka qenë në rregull dhe transparente. Fatkeqësisht, intervistimi nuk ishte i tillë dhe përpara se mungesa e mediave dhe e organizatave të shoqërisë civile të jetë e rastësishme, mund të jetë e mirëmenduar.

* * *

Këto dy raste tregojnë shumë për mënyrën se si shumica qeverisëse, në mënyrë arrogante dhe me fuqinë që ia japin numrat, po përpiqet të çojë përpara vendime e veprime në një mënyrë që në të kaluarën e kritikonte me të drejtë.

Nëse Vetëvendosja është votuar me të madhe nga qytetarët për ndryshim dhe për të mos vepruar si “të tjerët”, atëherë këto veprime e vendime tregojnë të kundërtën.

Hysen Durmishi duhet të jep llogari dhe të mbahet përgjegjës për skandalin me tiketën ngjitëse, sikurse që procesi për intervistimin e kandidatëve për bordin e KPM’së duhet të përsëritet dhe të zhvillohet në transparencë të plotë. Nuk mjaftojnë parullat e tipit “nuk jemi si të tjerët”. Përgjegjësia, llogaridhënia e transparenca nuk kanë alternativë dhe këtë pushteti i ri duhet ta kuptojë. Sa më herët – më mirë.