"Purgatori", vepra e fundit e një prej romancierëve më të mëdhenj latinoamerikanë - Gazeta Express
string(78) "purgatori-vepra-e-fundit-e-nje-prej-romanciereve-me-te-medhenj-latinoamerikane"

“Purgatori”, vepra e fundit e një prej romancierëve më të mëdhenj latinoamerikanë

Arte

Gazeta Express

12/02/2024 14:24

Emilia Dupuji përballet me të shoqin, Simon Kardoson, në restorantin Trudy Tuesday, 30 vjet pasi ai ka vdekur. Kështu fillon Purgatori, vepra e fundit dhe shumë afër jetës personale e njërit prej romancierëve më të mëdhenj latinoamerikanë, Tomás Eloy Martínez. Simoni, hartograf si edhe e shoqja, u zhduk në dimrin e vitit 1976, ndërsa po hidhnin në hartë një rrugë fshati në Argjentinë. Ai është një nga mijëra desaparecidos, të zhdukurit e regjimit ushtarak: i arrestuar, torturuar, ekzekutuar si “subversiv” nga junta ushtarake argjentinase. Me gjithë pengesat që i krijon i ati, mbështetës i ushtrisë dhe bashkëpunëtor në mizori, Emilia vazhdon ta kërkojë Simonin në Argjentinë, Brazil, Venezuelë, Meksikë e SHBA. Por, a është ai Simoni i vërtetë, apo është veç një fantazmë e krijuar nga refuzimi i Emilias ndaj vdekjes së tij? Në duart e Martínezit, kjo histori dashurie dhe fantazmash shndërrohet në një alegori për historinë politike dhe paaftësinë e një shteti për të integruar të shkuarën e vet me të tashmen. Përmes kërkimit të Emilias, rrëfyesi i bën jehonë pyetjes së vazhdueshme të një vendi të tërë: si ndodhi kjo, si ishte e mundur? Si mund të vazhdojmë të jetojmë sot, kur e gjithë kjo ndodhi dje, para syve tanë? Si mund t’i kthejmë zhdukjet në dukje, në realitet faktik, në njohjen e historisë sonë të turpshme? Si mund t’i dallojmë fantazmat e të gjallëve nga fantazmat e të vdekurve?

Pak nga jeta e autorit:

Lexo Edhe:

Martínez njihet më së shumti si autori i dy klasikëve të letërsisë argjentinase dhe latinoamerikane: La novela de Perón (1985) dhe Santa Evita (1995); kjo e fundit u përkthye në 30 gjuhë dhe shiti më shumë se 10 milionë kopje. Në vitin 2002, Martínez u nderua me çmimin prestigjioz Alfaguara për romanin e tij El vuelo de la reina. Romanet e tjera të tij përfshijnë Sagrado (1969), La mano del amo (1991) dhe Purgatorio (2008). Ai gjithashtu shkroi ese, më së shumti “Los testigos de afuera” (1978) dhe “Retrato del artista enmascarado” (1982); një përmbledhje me tregime të shkurtra me titull Lugar común la muerte (1979); dhe 10 skenarë.

Përveç arritjeve të tij letrare dhe gazetareske, Martínez ishte një avokat i pasionuar në emër të viktimave të abuzimeve të të drejtave të njeriut dhe ai gëzoi një karrierë akademike aktive, duke dhënë leksione gjerësisht në të gjithë Amerikën dhe Evropën.

Ai ishte profesor (1984–87) në Universitetin e Maryland-it dhe nga viti 1995 ishte profesor i dalluar në Universitetin Rutgers, New Brunswick, N.J., ku drejtoi programin e studimeve të Amerikës Latine./Liberale.al