Nëse deri më 14 gusht 2025 nuk realizohen mjetet për pagat e punëtorëve, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së do të dorëzojë padinë në gjykatë përmes avokatit ndaj të gjithë përgjegjësve institucionalë.
Padia do të kërkojë përgjegjësi ligjore për situatën e rëndë financiare të krijuar brenda RTK-së, mos-ekzekutimin e pagave dhe cenimin e të drejtave themelore të punonjësve, si dhe për rrezikimin serioz të funksionimit të transmetuesit publik të Kosovës.
Sot, më 8 gusht, pagat e punonjësve ende nuk janë ekzekutuar. Gjendja financiare është e rënduar, si për institucionin, ashtu edhe për stafin që përballet me vështirësi të mëdha ekonomike dhe sociale.
Pavarësisht kësaj gjendjeje, punëtorët e RTK-së vazhdojnë ta mbajnë programin në funksion, me përkushtim të lartë profesional, duke mos lejuar ndërprerjen e informimit dhe shërbimeve për publikun.
Sindikata i bën thirrje të gjithë përgjegjësve institucionalë që të ndërmarrin masa urgjente dhe serioze, për të parandaluar një krizë të thellë në funksionimin e RTK-së dhe për të siguruar të drejtat bazike të punonjësve.
Gjithashtu, Sindikata shpreh vendosmërinë për të ndërmarrë të gjitha format e lejuara ligjore të grevës dhe protestës, duke përfshirë:
• Grevën paralajmëruese,
• Grevën e pjesshme,
• Grevën e përgjithshme,
• Protestat publike paqësore
Të gjitha këto masa do të ndërmerren në përputhje të plotë me Ligjin për Grevat dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si pjesë e mbrojtjes së të drejtave të ligjshme të punëtorëve dhe për të ruajtur dinjitetin dhe qëndrueshmërinë e RTK-së.
Njëherësh, u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve financiare në Kosovë që të tregojnë mirëkuptim për situatën aktuale dhe të gjejnë mënyra për të mbështetur punëtorët e RTK-së që përballen me obligime financiare esenciale.
Lidhur me formën dhe kohën e protestës së radhës, Sindikata do të informojë publikun në ditët në vijim përmes kanaleve tona zyrtare.