Punën e nis në 5 të mëngjesit: Si e ndërtoi gruaja nga Ferizaj fermën që sot furnizon tregun me qumësht - Gazeta Express
string(102) "punen-e-nis-ne-5-te-mengjesit-si-e-ndertoi-gruaja-nga-ferizaj-fermen-qe-sot-furnizon-tregun-me-qumesht"

Lajme

Merita Miftari

29/07/2025 18:19

Punën e nis në 5 të mëngjesit: Si e ndërtoi gruaja nga Ferizaj fermën që sot furnizon tregun me qumësht

Lajme

Merita Miftari

29/07/2025 18:19

Në një sektor të dominuar kryesisht nga burrat, Igballe Istrefi-Esati nga fshati Pojatë i Komunës së Ferizajt nisi rrugëtimin e saj në bujqësi në vitin 2017, me vetëm një lopë, pa stallë dhe pa kushte bazë për prodhim. Përkundër vështirësive, 42-vjeçarja arriti të ndërtojë një fermë dhe gradualisht të rrisë numrin e lopëve. Sot, Igballja në fermën e saj ka dhjetë lopë qumështore dhe shtatë viça, ndërsa deri në fundvit pritet t’i shtohen edhe tre viça të tjerë. Kësisoj ajo krijoi një biznes që siguron të ardhura për familjen.

Çdo ditë, Igballe Istrefi-Esati e nis punën në pesë të mëngjesit duke arritur të sigurojë mbi tre mijë litra qumësht në muaj. Shumicën e sasisë së qumështit e dërgon në një pikë grumbullimi të një fabrike të djathit, ndërsa një pjesë e përpunon vetë në djathë e gjizë për klientët e saj.

Ferma në duart e një gruaje

Rrugëtimi i Igballes në bujqësi filloi kur e fitoi një projekt të një organizate që mbështeste këtë veprimtari, por që iu desh të merrte një kredi për të filluar me biznesin.

“Në vitin 2017 kam filluar punën me një lopë, kam shkuar deri në tri lopë duke e rritur numrin. Nuk kam pasur stallë e as dhomë për bylmet. Falë organizatës ‘Women 4 Women’, kam fituar një projekt. Pastaj kam marrë edhe një kredi. Pas projektit e kam regjistruar biznesin, duke e blerë edhe traktorin i cili më shërben për punimin e tokave”, tha Istrefi-Esati në një rrëfim për Gazetën Express.

Prej vitesh, Igballja e fillon ditën në pesë të mëngjesit, e bashkë me të zgjohet edhe bashkëshorti i saj duke treguar se për punën që bën e ka përkrahjen e tij.

“Bashkë me burrin zgjohemi në orën pesë të mëngjesit, i mjelim lopët dhe i nxjerrim deri në orën 10:00 për të kullotur. Lopët vetëm 2-3 muaj gjatë vitit i lëmë në stallë, ndërsa muajt e tjerë i lëmë në ambient të hapur”, tregon ajo.

Igballja merret edhe me punimin e tokës në mënyrë që t’ia sigurojë ushqimin bagëtive.

“Sivjet kemi mbjellë tetë hektarë me misër dhe me grurë, për t’ia siguruar ushqimin bagëtive”, tha ajo për Gazetën Express.

Istrefi-Esati: Në fillim kam pasur vështirësi, por nuk jam dorëzuar kurrë dhe tani gëzoj një jetë shumë të mirë dhe stabile

Pavarësisht situatave të vështira që ka hasur në biznes, gruaja nga Ferizaj ndjehet e lumtur që ka arritur të sigurojë të ardhura nga puna e saj dhe të fitojë pavarësi financiare.

Ajo përmend faktin se “si grua në sektorin e bujqësisë, sfidat kanë qenë të shumta”.

“Përveç punës unë jam nënë dhe bashkëshorte dhe kam pas obligime te tjera edhe në shtëpi”, thotë Istrefi-Esati.

Sfidë tjetër, sipas 42-vjeçares është qasja në treg, “shpesh herë mungon mbështetja konkrete për gratë që duan të shesin produktet e tyre me çmim të drejtë”, shton ajo.

Gjithsesi, përkrahjen thotë se e gjeti edhe në Komunën e Ferizajt, konkretisht nga Drejtoria e Bujqësisë dhe Pylltarisë.

“Komuna dhe Drejtoria e Bujqësisë më kanë ndihmuar shumë, kanë ndikuar shumë në zhvillimin tim personal dhe profesional”, shton ajo.

Megjithatë, Igballe Istrefi-Esati thekson se nevojat mbesin të mëdha, “sidomos për pajisje, qasje në grante, dhe një mbështetje të qëndrueshme”.

Marrë parasysh që në Kosovë vetëm rreth 20% e pronave të paluajtshme janë në emër të grave, Igballja “qasjen në pronësi” e sheh si një ndër sfidat e mëdha me të cilën përballen gratë në këtë sektor.

“Shumë gra ende nuk janë pronare të tokës. Nëse gratë do të kishin qasjen e barabartë në pronë, do të kishim një zhvillim shumë më të madh ekonomik në zonat rurale”, shprehet fermerja.

Në fund, Igballja inkurajon vajzat dhe gratë që kanë synim të merren me bujqësi që të mos presin nga të tjerët, por të fillojnë vetë punën.

“Mos e nënvlerësoni veten dhe mos prisni që dikush tjetër t’ju japë të drejtën për të vepruar. Merreni atë vetë. Me punë mund të ndërtoni jo vetëm një biznes, por edhe një jetë të qëndrueshme në fshat”, përfundoi ajo.

Rusinovci: Tek industria e qumështit do të ishte e rrugës që të punësohen më shumë gratë

Profesori i Bujqësisë, Imer Rusinovci, në një intervistë për Gazetën Express, e sheh të rëndësishëm rolin e gruas në bujqësi. Ai thotë se politikat bujqësore duhet të jenë të tilla që prioritet të jetë gjinia femërore.

“Gjinia femërore mund të punojë dhe të gjejë vetën në bujqësi, nëse shteti mendon seriozisht dhe e intensifikon industrinë ushqimore”.

Ai thekson se bujqësia zbutë shumë probleme dhe punësimi i të rinjve në këtë lëmi do ta ulte shkallën e papunësisë.

“Mund të punësohet një numër i konsiderueshëm për vëllime të rënda fizike, pra burrat, dhe për punë të tjera me finalizim të prodhimtarisë primare, pra gratë”, tha Rusinovci për Gazetën Express.

Rusinovci pohon se “tek industria e qumështit do të ishte e rrugës që të punësohet më shumë bota femërore, jo vetëm për plotësimin e standardeve higjienike por edhe për shumë parametra tjerë”, shprehet Rusinovci.

Profesori deklaron se “edhe në sektorin e bujqësisë, gratë e punësuara duhet t’i gëzojë të njëjtat benefite siç i gëzojnë në sektorin publik për pushime të lehonisë, etj”.

Sipas publikimit “Gratë dhe Burrat 2022/2023”, të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i të punësuarve në kategorinë “Punëtorë të kualifikuar në bujqësi dhe peshkatari” është 5,816 persona: Gra: 629 dhe Burra: 5,187.

Në këtë publikim, vërehet se 6,388 gra janë pronare të ekonomive bujqësore, krahasuar me 124,048 burra. Ndërsa, numri i grave si anëtare të familjes që marrin pjesë në aktivitetet bujqësore është më i lartë se ai i burrave.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), pavarësisht kërkesës, nuk i ka kthyer përgjigje Gazetës Express lidhur me të dhënat mbi përfshirjen dhe mbështetjen e grave në bujqësi.

Ndërsa, nga Agjencia për Barazi Gjinore (ABGJ), i kanë thënë Expressit se përmes subvencioneve të rregullta mbështesin gratë në fushën e bujqësisë, duke përfshirë të gjitha komunitetet.