Puna - Gazeta Express
string(4) "puna"

Puna

OP/ED

Gazeta Express

15/01/2024 16:09

Shkruan: Edison Ypi

Në vendin ku të shurdho nin planet, afatet, zotimet, premtimet dhe të qorronin pankartat gjigante me punëtorë pararojë, heronjtë e punës socialiste, kronikat, kooperativat, fushat plugjet, traktorët, po të punoje, të cilësonin “qen i punës”, po të mos punoje, të burgosnin “për parazitizëm”. E vetmja rrugëdalje nga kjo dilemë që zbatohej në masë ishte të punoje pak dhe keq. Aq pak dhe aq keq sa të ishte e mundur.

Lexo Edhe:

Deri te një prag, pas të cilit shfaqej rreziku me të transferu nga burgu i madh, Shqipëri rrethuar me tela me gjemba në burgun e vogël në Spaç, me tela me gjemba, plus karakolla. Kongreset e zhurmshme, plenumet e heshtur, mbledhjet nëpër ndërmarrje që ulërinin për punën, nuk arritën kurrë në asnjë vesh, nuk bën kurrë asnjë efekt. Sa më tepër punë, aq më i madh rreziku të bije në sy dhe t’i bëje hije dikujt që betohej se do ta bënte, dhe ta bënte, gjëmën. Punë quhej vetëm “puna e krahut”, ajo që kryhej me muskuj, me gjymtyrë, këmbë e duar, ajo që të lodhte, si mekanik, marangoz, bujk etj.. Puna e mendjes, puna intelektuale, nuk ekzistonte.

Për lodhjen e mendjes s’bëhej fjalë. Aq e vërtetë është kjo, sa “Punë e mbarë” përshëndetnin vetëm ata që punonin me krahë. Kurrë ata që punonin në zyrë. “Punë dreqi”, “Punë muti” e kishin në majë të gjuhës për të gjitha punët dhe punëdashësit. “Punë e madhe” se X punë u bë keq, a s’u bë fare, ironizonin punën e pamjaftueshme për shumëçka që s’ndryshonte asgjë edhe nëse bëhej edhe nëse s’bëhej. Pasi i shembën kishat e xhamitë dhe masakruan priftërinj e hoxhallarë, thoshin: ‘Po të ishte e mirë puna, do punonte edhe prifti, edhe hoxha’.

Filani e vë punën përpara, ishte e vërtetë. Muhameti nga Laskoviku dhe Kristi nga Puka e vinin punën përpara dhe vetë mbeteshin mbrapa. Pëshpërinin me njëri-tjetrin: “Ata bëjnë sikur më paguajnë, unë bëj sikur punoj”. Ose: “Punoj aq sa më paguajnë”. “Puna me njerëzit” demek edukimi i njerëzve ishte një dërdëllitja propagandistike orwelliane e neveritshme, ku kishte vetëm zhele dhe vërdallosje, thoshin: “Mos i shiko gunën por punën”.

“Rroba pune” quheshin ca rrecka doku që kishin qenë nja tre a katër muaj të reja, por pas dhjetë vjetësh ende në trup mbuluar nga pisllëku, s’kishte ku i kapte qeni. Një gajasje më vete ishte “Pushim nga puna”. Dukej sikur çoç do ndodhte. Por ishte vetëm kërcënim. Partia e Punës nuk të linte kurrë pa punë. Në mos në ofiçinën e pisët, në minierën e tmerrit ku sëmureshe dhe vdisje për pak vite. Përveç “shok shkolle”, “shok ushtrie”, “shok zbori”, mund të kishe edhe “shok pune” që mund ta qerasje me ndonjë teke te klubi i lagjes nga frika së mos të spiunonte.

Ishin aq të fiksuar pas punës inekzistente sa për çdolloj gjëje që nuk u përkiste, thoshin “s’është puna ime”. Talleshin hokatarët me “orarin e punës”: “Vërtet vij vonë në punë, por të paktën iki herët”. Ose me sloganin e kohës së punës “Ta shfrytëzojmë 8-orshin”, për të cilin thoshin: Or’ po ne 8-orëshin e shfrytëzojmë e kusur s’i lemë. ‘Puna’ është të na shfrytëzojë 8-orëshi ne”. Partia e Punës nxirrte gazetën “Puna”, një llomotitje grafologjike e pështirë, që me punën s’kishte asnjë lidhje.

“Puna vullnetare” zakonisht të dielave ishte një yxhym nëpër ara ku korrej gruri për të mbledhur kallëzat e mbetura, ose për të vaditur e prashitur ullinjtë andej nga Baldushku. Të mos shkoje në “Punë vullnetare” të hiqnin ditën e punës së nesërme, të së hënës, kur në punë do shkoje, po paret nuk do i merrje. “Puna fizike” ishte 1 muaj në vit për nëpunësit e zyrave që shkonin te ca ara në periferi të qytetit ku, në vend të pastronin kanalet ujitëse si qe’ llafi, shulloheshin në diell dhe ia kërcisnin muhabetit.

“Dita e punës” së kooperativës ishte një vlerë monetare rrënqethëse e krahasueshme me vendet e urisë në Afrikë. Shkonte edhe 18 lekë të vjetra për 1 ditë pune, sa një paketë cigare “Partizani” pa filtër. Filani e “Zvarrit punën” e paraqiste punën si një qen të ngordhur që duhet hedhur tutje. “Lavdi punës” ishte slogan i rrallë. Pas sloganeve për partinë, bukën, rrethimin, vigjilencën, puna dhe lavdia e saj, si të parëndësishëm, ishin të fundit. “Punë me spec”. Kur taksiratet shtoheshin, burgu dukej afër. Spiuni kishte bërë punën e vet. “Punim shkencor”, punë bythëpambukësh që mbahen për të squtë, por duhen vrarë të gjithë si të padobishëm.

“Populli punëtor dhe liridashës” ishte po ky popull që është sot, i cili, përveçse punëtor dhe liridashës, është bërë edhe llapaqen, zjarrvënës, hajdut, drogaxhi, trafikant që shet motrën, kriminel që vret gruan. “Puna ime, “puna jote”, “puna këtij”, “puna e atij” ishin dëngla për “me u gjet Kola në punë”. “Puna heroike e klasës sonë punëtore për ndërtimin e veprave të pesëvjeçarëve…” ishin halucinacione donkishoteske për me mbajt veten me gajret nga tmerri dhe turpi për malet e hekurishteve që sillnin këtu Rusia dhe Kina.

Me rendiment zero, sepse punë minus infinit, në Shqipërinë e diktaturës punohej aq sa punon një i dënuar me vdekje në burg.