Njohësi i çështjeve politike, Shqiprim Pula, ka reaguar ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me bllokimin e seancës konstituive të Kuvendit, duke vlerësuar se ky institucion ka dështuar të përmbushë rolin e tij themelor në mbrojtjen e Kushtetutës dhe në ofrimin e zgjidhjeve për ngërçin parlamentar.
Në një reagim publik, Pula thotë se vendimi i Gjykatës nuk ka prodhuar as jurisprudencë të vlefshme, as nuk ka ndihmuar në zhbllokimin e funksionimit të Kuvendit. Ai thekson se ky aktgjykim nuk ofron qartësi për deputetët, nuk adreson shkeljet e pretenduara dhe nuk përmbush asnjë nga funksionet që priten nga një gjykatë kushtetuese në raste të tilla.
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës nuk e mbrojti Kushtetutën, nuk i udhëzoi deputetët si të veprojnë, nuk e mundësoi funksionalizimin e Kuvendit, nuk i adresoi shkeljet dhe nuk e zgjodhi as ngërçin,” ka shkruar Pula në Facebook.
Ai rikujton zhvillimet e seancës së 15 prillit, kur procesi për zgjedhjen e kryesisë së Kuvendit mbeti i papërfunduar, pas një ndërrimi të papritur të procedurës së votimit – nga votim i hapur në të fshehtë – që çoi në bojkotim nga disa deputetë.
Sipas Pulës, një grup deputetësh iu drejtua Gjykatës më 12 maj me pyetje që lidhen me mënyrën e drejtimit të seancës dhe përputhshmërinë e mandateve të deputetëve që mbajnë edhe poste ekzekutive. Por Gjykata, ndonëse e pranoi kërkesën, nuk dha përgjigje substanciale.
“Gjykata nuk e trajtoi konfliktin e interesit, nuk dha interpretim të qartë për përputhshmërinë e funksioneve dhe as nuk ofroi zgjidhje konkrete për përfundimin e seancës konstituive,” shkruan ai.
Pula kritikon faktin që aktgjykimi KO124/25 vetëm cakton një afat 30-ditor për përfundimin e seancës, pa paraparë çfarë ndodh nëse bllokada vazhdon.
Për ta përmbledhur, ai deklaron: “Gjykata Kushtetuese me aktgjykim nuk gjykoi!”, duke nënvizuar se vendimi është i mangët dhe i paplotë në përmbajtje dhe ndikim.