Është publikuar zyrtarisht në Fletoren Zyrtare rregullorja e re për zbatimin e punimeve të ndërtimit, e cila sjell një sërë detyrimesh dhe standardesh të reja për kantierët në të gjithë territorin e Shqipërisë. Masa vjen pas paralajmërimeve të Kryeministrit Edi Rama një javë më parë dhe synon rritjen e sigurisë, transparencës dhe monitorimit institucional në sektorin e ndërtimit.
Sipas rregullores, një kantier ndërtimi nuk do të konsiderohet zyrtarisht i ngritur nëse nuk janë përmbushur kriteret bazë si: Vendosja e rrethimit fizik; Instalimi i sinjalistikës dhe kamerave të sigurisë; Afishimi i projektit ndërtimor në pjesën ballore të kantierit; Tabela informuese me të dhëna për objektin dhe subjektin ndërtues.
Kantierët duhet të jenë të pajisur me të paktën katër kamera sigurie, të vendosura në çdo kënd, për të mundësuar mbikëqyrje të plotë vizuale të territorit të punimeve.
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) dhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit do të kenë akses në sistemet e kamerave të sigurisë dhe pajisjet GPS që duhet të kenë të gjitha mjetet e kantierit. Kjo u mundëson autoriteteve të verifikojnë në kohë reale nëse po respektohen lejet e ndërtimit dhe projektet e miratuara.
Duhen tabela informuese më të plota dhe transparente. Në hyrje të çdo kantieri, përveç të dhënave të zakonshme si leja e ndërtimit, sipërfaqja dhe afati i përfundimit, tabelat do të duhet të përmbajnë edhe: Intensitetin e ndërtimit; Numër kontakti për qytetarët apo institucionet e interesuara; Rritje e masave për sigurinë në punë.
Rregullorja e re detyron ndërtuesit të sigurojnë mbrojtje të plotë për punëtorët, përfshirë:
Përdorimin e mjeteve mbrojtëse personale; Vendosjen e skelave të sigurta; Mbrojtje të instalimeve elektrike; Mirëmbajtje të rregullt të makinerive.
Në rast se masat e sigurisë nuk përmbushen, drejtuesi teknik ka detyrim të pezullojë punimet, ndërsa mbikëqyrësi duhet të raportojë menjëherë çdo defekt apo devijim nga projekti.
Kryeministri Edi Rama ka bërë të qartë se ndërtuesit që nuk i përmbahen rregullores do të përballen me sanksione të ashpra, përfshirë edhe përfshirjen në një “listë të zezë” që mund të çojë në heqjen e licencës së ndërtimit.
Axians, marka e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit e VINCI Energies, hapi vendndodhjen e saj të sapo ndërtuar në...