Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul tha të dielën në Sarajevë se institucionet e Bosnjës dhe Hercegovinës kanë mbështetjen e plotë të Gjermanisë, duke shprehur kënaqësinë e tij që vizita në BiH është fillimi i turneut të tij në Ballkanin Perëndimor.
“Mbrojtja e parimeve themelore të Dejtonit, sovraniteti i Bosnjës dhe Hercegovinës në tërësi janë thelbësore. Kjo është arsyeja pse institucionet e këtij vendi kanë mbështetjen tonë të plotë”, tha Wadephul në një konferencë për shtyp pas një takimi me Përfaqësuesin e Lartë në BiH, Christian Schmidt.
Duke folur për rrugën evropiane të BiH, ai tha se “do të jetë e qartë”, që do të thotë se BiH duhet të përmbushë kushtet e përcaktuara në vitin 2022.
“Para së gjithash është sundimi i ligjit dhe forcimi i demokracisë. Gjermania është e gatshme të mbështesë BiH në këtë drejtim dhe proces. Do të kem një takim më vonë në Presidencën e BiH, por gjithashtu do të theksoj se i takon BiH të tregojë angazhim”, tha Wadephul.
Duke deklaruar se Gjermania ka “marrëdhënie shumë të ngushta ekonomike me BiH”, ai theksoi se të gjitha bisedimet me zyrtarët nga vendet e Ballkanit Perëndimor do të përqendrohen në mënyrën se si rajoni mund t’i afrohet Bashkimit Evropian më shpejt dhe më mirë.
“Në kohë fërkimesh në rritje, ky është më shumë se kurrë një investim në paqen, sigurinë dhe prosperitetin e Evropës. Një gjë është e qartë, procesi i pranimit është dhe do të mbetet një proces i bazuar në performancë. Kjo do të thotë që vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të zbatojnë reforma të thella dhe shpesh të vështira. Nuk ka rrugë të shkurtra”, theksoi Ministri i Jashtëm gjerman.
Ai shtoi se për BiH, kjo do të thotë konkretisht që kushtet e vendosura në tetor 2022 në rrugën drejt BE-së duhet të përmbushen përpara se të mund të bëhet përparim në procesin e zgjerimit.
Në dhjetor 2022, Bosnjës dhe Hercegovinës iu dha statusi i kandidatit për anëtarësim në BE, me kusht që të zbatojë hapat e përcaktuar në vendimin e Këshillit Evropian të 12 tetorit 2022 mbi politikën e zgjerimit, me qëllim forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, menaxhimin e migracionit dhe të drejtat themelore.
“Gjermania mund të hapë rrugën drejt BE-së, por në fund të fundit varet nga vendosmëria e politikanëve dhe institucioneve në BiH ta bëjnë këtë dhe ta provojnë atë në veprim. Mbrojtja e parimeve themelore të Marrëveshjes së Dejtonit është me rëndësi kyçe”, theksoi Wadeful.
Sipas tij, paqja në zemër të Evropës është dhe do të mbetet një detyrim i BE-së dhe Gjermanisë, duke shtuar se kjo është arsyeja pse institucionet e BiH, të cilat u krijuan në përputhje me Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit, gëzojnë besimin e tyre të plotë.
“Unë dhe Schmidt e diskutuam këtë. Ai është përgjegjës për zbatimin e pjesës civile të Marrëveshjes së Dejtonit dhe kjo është me rëndësi të madhe. Së bashku duam të vazhdojmë përpjekjet tona për të mbështetur BiH në rrugën e saj drejt BE-së”, përfundoi Ministri i Jashtëm gjerman.
BE-ja një perspektivë konkrete për Ballkanin Perëndimor, por kërkon vendime të vështira
Përpara nisjes së tij për një turne në Ballkanin Perëndimor, Wadeful tha se në dritën e përpjekjeve të vazhdueshme të Rusisë dhe Kinës për t’i ndikuar ato, vendet e rajonit duhet të vazhdojnë reformat dhe të demonstrojnë angazhim ndaj vlerave të përbashkëta evropiane si kusht për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.
“Sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe mbrojtja e të drejtave themelore nuk janë subjekt i negociatave”, tha Wadeful përpara nisjes së tij për një turne në Ballkanin Perëndimor.
Kreu i diplomacisë gjermane theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor janë “një pjesë e pandashme e familjes evropiane” dhe se “Bashkimi Evropian nuk është një premtim i largët, por perspektiva e tyre konkrete”.
“Kushdo që dëshiron të bëhet pjesë e asaj bashkësie të sundimit të ligjit dhe asaj hapësire tregu duhet të marrë përgjegjësi, edhe nëse kjo kërkon hapa të vështirë”, tha Wadeful.
Ai tha se është me rëndësi vendimtare që vendet e Ballkanit Perëndimor të diversifikojnë burimet e tyre të energjisë në mënyrë që të forcojnë pavarësinë dhe sovranitetin e tyre në planin afatgjatë.
“Ne në Gjermani e dimë se sa e dhimbshme dhe në të njëjtën kohë e nevojshme mund të jetë kjo”, tha Wadeful.
Gjermania është çliruar plotësisht nga varësia nga gazi rus pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, sipas agjencisë dpa.
Wadeful tha se anëtarët e NATO-s, Mali i Zi dhe Shqipëria, kanë bërë përparim të konsiderueshëm në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian, ndërsa vendet e tjera në rajon duhet ta ndjekin shembullin, disa në një masë më të madhe.
Si pjesë e një turneu në gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, Wadeful do të vizitojë së pari Bosnjën dhe Hercegovinën, dhe më 17 nëntor do të udhëtojë në Mal të Zi dhe Shqipëri. Po atë mbrëmje, ministri i jashtëm gjerman do të mbërrijë në Beograd. Nga Beogradi, ai do të vazhdojë turneun e tij më 18 nëntor me një vizitë në Kosovë dhe më pas në Maqedoninë e Veriut. /REL
Në Reisebüro Prishtina, ne jemi këtu për t’ju bërë çdo udhëtim të thjeshtë, të sigurt. Me përvojë shumëvjeçare dhe...