Psikopatë e racistë të ndytë! - Shënime nga Karantina 8 - Gazeta Express
string(53) "psikopate-e-raciste-te-ndyte-shenime-nga-karantina-8k"

Psikopatë e racistë të ndytë! – Shënime nga Karantina 8

Gazeta Express

12/04/2020 11:15

Përdhosja e varrezave rome në Rahovec, ndërdijshëm është frikë nga tjetri, i ndryshmi nga vetja, pra punë qyqanash…

Shkruan: Halil Matoshi

Lexo Edhe:

Psikotikët racistë e t’prekun nga virusi i nacionalizmit dhe të paçliruar nga mbetjet vandale të “fisit të zemëruar”, nuk jetojnë vetëm në Ballkan porse i bien botës sonë kryq e tërthurë.

Vandalizimi i varrezave nuk është dukuri veç e Ballkanit dhe nuk duhet paragjyku.  Porse në trojet ballkanike vandalizimi i tyre është përdorur si armë të luftës speciale.

Është dukuri e shéjimit tē atyre që duhet t’u bëhet me dije se janë të padëshiruar, që duhet përzënë ose vrarë, sepse narrativa nacionaliste si ‘keatsch’ mëson: Vrit anmikun! Kur ai s’duket këndejpari, si në “Shkretëtirën e Tatarëve” të Buxatit, fabriko ni animik dhe mësyje!?

Hajvanë të ideologjizuar me meganarrativën e tjetrit si armik dhe nekrofilë sē vërteti, bredhin natën nepër glob për të mos i lënë njerëzit të kenë sukses dhe për të mos e lënë lirinë për të zënë rrënjë të forta, e njeriun të çlirohet nga nacionalizmi folklorik dhe ksenofobia si dhe dogmatizmi.

Nëse kjo vepër nuk është e korpusit të luftrave të kontrolluara me efekte speciale, të armiqëve të Kosovës, atëherë kryrësit janë prodhim i kësaj shoqërie, prandaj kjo është plagë (patologji shoqërore) vështirë e shërueshme.

Identifikimi dhe nxjerrja para drejtësisë e kryrësve të kësaj vepre të turpshme është e interesit nacional.

Përdhosja e varreve është dhunë dhe armiqësi e hapur, sado simbolike, sikur përdhosja e flamurit të një kombi, sepse, e para përkon me zhbërjën e të kaluarës historike të një grupi, kurse e dyta me zhbërjën simbolike të së sotshmës dhe të ardhmës së atij grupi etnik a kombi,

Kjo është para së gjithash frikë e kulturës supremaciste se po vdiret dhe po i humbë cilësitë e dikurshme, lavdinë historike dhe në ndërdije e konstruktuar si frikë “se po bëhemi si ata”!?

Sëkëndejmi frikë e fashistit – nga numri i vogël – dhe mësymja predatore e njeriut të turmës, për asimilimin dhe zhbërjen e pakicave, që jetojnë përgjatë shekujve në këto hapësira. (Shih: “Fear of Small Numbers” nga Arjun Appadurai.)

Për kundrim ma të kthjellët, e jo paragjykues për ballkanasët, po e sjell këtu tregimin e Rushit Rimanishtës, i cili flet për disa antena të 5G që qenkëshin vandalizu në Britani. Arsyeja: shperndarja në turmë e një teorie konspirative në rrjete sociale se kinse antenat 5G e paskan shkaktue Coronavirusin!?

(…)”

Njeriu që vandalizon, pri nga mite e legjenda, ideologjike e fetare, por edhe i nxitur nga Fake News (lajmet e rrejshme) është ai “shpellari” i Bertrand Russell që hamendëson midis lirisë tribale të errësirës apo daljēs në botë. Por nëse ne duam që jeta jonë të jetë e mirëqenë dhe e lirë – shkruan Russell – duhet t’i shpëtojmë këtij burgu dhe kësaj grindjeje.

Romët kosovarë dhe përgjithësisht komuniteti RAE janë të mbrojtur me Kushtetutë dhe ligje dhe të përfaqësuar në institucionet qendrore, porse pozita e tyre në punësim, arsimim dhe segmente tjera të jetës, ata janë të diskriminuar, sado në heshtje. Sëkëndejmi t’i kursejmë dhe mbrojmë prej sulmeve të tilla që në thelb cënojnë themelet mbi të cilat është ngritur shteti kosovar.

E dhimbshme kur sheh dhe dëgjon fyerje e paragjykime nga njerëzit e rinj që kurrë nuk kanë këmby asnjë fjalë me një rom, nuk kanë bashkëpunuar për të mirën e komunitetit dhe nuk e dijnë se ata përgjithësisht janë besnik të Republikës duke dhënë më të çmuarën e tyre për ngritjen dhe progresin e saj.

Madje, duke qenë të çliruar nga ngarkesa nacionaliste, lojaliteti i tyre ndaj shtetit të Kosovës është impresiv.

Bashkësia RAE e kanë fituar respektin e shoqërisë, jo pse është modë me folë mirë për pakicat, dhe me u shtirë kinse mbrojtës i të drejtave të tyre, as nga mëshira, por ne duhet të bashkëpunojmë ngusht me ta, si qytetarë të baravartë, me përkushtim e empati, mbi rapirtet shumicë-pakicë.

Ata, të gjithë janë kosovarë të mirë, janë në tokën e të parëve dhe në shtetin e tyre.

Qytetari i edukuar i këtij vendi dhe secili njeri normal sigurisht që ndihet në siklet para pamjeve të tilla dhe para shfrimit të tillë. Sepse shqiptarët ghatë kanë qenë vet viktima.

Ndërsa Komuna e Rahovecit, duhet t’i riparojë varrezat me prioritet dhe me financë shtetërore, e zyrtarët duhet t’u kërkojnë falje bashkëqytetarëve romë për aktin e vandalëve, pa e paragjykuar përkatësinë e tyre.

Ky akt i pështirë, të bën të ndihesh i lënduar, pa bërë asnjë faj, sepse të lënduar ndihen bashkëqytetarët tanë.