PSG-ja dëshiron ta mbajë Icardin, por Wanda Nara s’është e sigurt


Gazeta Express
14 Dhjetor 2019 9:58

Paris Saint-Germaini është i gatshëm t’i shpenzojë 70 milionë euro në janar për ta transferuar në mënyrë permanente Mauro Icardin e huazuar nga Interi, mirëpo Wanda Nara dëshiron t’i shqyrtojë të gjitha opsionet, sipas Tuttosport.

Mauro Icardi ka qenë në formë të mirë për parisienët deri më tani këtë sezon, duke arritur t’i shënojë 12 gola në 15 ndeshje në të gjitha garat që kur u transferua nga Interi si huazim, në ditën e fundit të afatit kalimtar të verës, transmeton Gazeta Express.

Sulmuesi i ka bërë aq shumë përshtypje klubit, saqë francezët janë të gatshëm t’i shpenzojnë 70 milionë euro për ta blerë Icardin në mënyrë permanente gjatë afatit kalimtar të janarit.

Tuttosport pretendon se pasi që Edinson Cavani po shkon drejt fundit të karrierës së tij dhe për shkak të spekulimeve për të ardhmen e Neymarit dhe Kylian Mbappes, drejtori sportiv Leonardo beson se transferimin e Icardit duhet ta sigurojnë sa më shpejt që të jetë e mundur.

Argjentinasi fiton rreth 10 milionë euro tani, gati dyfishin e pagës pre 5.5 milionë eurosh që e fitonte sa ishte në Inter.

Megjithatë, bashkëshortja dhe agjentja e futbollistit, Wanda Nara, po shpreson që paraqitjet e tij për PSG-në do të ngjallin interesim nga Juventusi ose Real Madridi dhe për këtë arsye dëshiron të presë para se të nënshkruajë kontratë për të qëndruar në Paris.

Juventusi ka qenë i interesuar që një kohë të gjatë për Icardin dhe kishte spekulime gjatë verës dhe Fabio Paratici ia kishte ofruar Paulo Dybalan në shkëmbim për Icardin Interit, mirëpo Dybala e kishte refuzuar këtë ofertë. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart