Pse Veton Surroin e pengon Hashim Thaçi edhe nga burgu i Hagës - Gazeta Express
string(62) "pse-veton-surroin-e-pengon-hashim-thaci-edhe-nga-burgu-i-hages"

OP/ED

Gazeta Express

27/05/2021 10:36

Pse Veton Surroin e pengon Hashim Thaçi edhe nga burgu i Hagës

OP/ED

Gazeta Express

27/05/2021 10:36

Sipas Veton Surroit të gjitha të këqijat Kosovës, më shumë se nga Tito, Rankoviqi dhe Milosheviqi, i kanë ardhur nga Hashim Thaçi dhe nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Sipas një libri të tij, Kosova nuk ka pasur Ushtri. Ajo që quhet UÇK nuk ka qenë Çlirimtare. Bazuar në këto dy premisa, rrjedhimisht sipas tij, duke mos qenë ushtri dhe as çlirimtare, nuk ka qenë as e Kosovës. Ky mohim total dhe qëndrim armiqësor i pafund ndaj Hashim Thaçit dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë a mund të zbërthehet dhe të kuptohet edhe përmes një libri të botuar në vitin 2010 “Fadil Hoxha në vetën e parë, me shënime dhe parathënie të Veton Surroit”, botuar nga KOHA? Besoj që Po.

Shkruan: Ismail Syla

Lexo Edhe:

Kush do që ka pasur durimin që t’i lexojë 478 faqet e librit do të arrijë në përfundimin se kemi të bëjmë me dy personazhe, ose mundësinë e një nëntitulli të dyfishtë: Fadil Hoxha i Veton Surroit, ose Veton Surroi i Fadil Hoxhës. Personazhi Fadil Hoxha ka bërë historinë, ndërkaq, Veton Surroi është produkt i rritur dhe i formuar në harkun e historisë politike të Fadil Hoxhës. Fadil Hoxha është njeriu i Kosovës me identitet politik ideologjik – komunist, kuadër politik jugosllav, që beson në frymën e vëllazërim bashkimit dhe në Titon, si shef i shtetit federal jugosllav. Veton Surroi është bir ambasadori jugosllav, që i përkiste etnisë shqiptare. Sipas statusit të sociologjisë jugosllave shqiptarët nuk konsideroheshin komb, por kombësi, e që deri pas rënies së Rankoviqit, kuadrot nga kombësitë nuk mund ta përfaqësonin Jugosllavinë në botën e jashtme me pozitën e ambasadorit. Sipas Jovan Veselinovit, sekretar i PK të Serbisë “ambasador nuk mund të jetë njeriu nga pakicat kombëtare. Ai përfaqëson shtetin. E nuk mund ta përfaqësoj shtetin ai që i takon kombit tjetër” (331).

Në parathënie e librit Vreton Surroi paraqet më së miri thelbin e personalitetit politik të idhullit të tij, Fadil Hoxhës: “Për të komunizmi ishte ndërtimi i vendit, shkollat, Universiteti, elektrifikimi, industrializimi, rrugët, spitalet, çrrënjosja e tuberkulozit, ngopja e barkut me bukë. Ato të tjerat, burgosjet, vrasjet, përndjekja e mendimit të lirë, censura – që të gjitha ishin deformime, ishin stalinizëm” (54). Pra ka dy pamje në botëkuptimin e Fadil Hoxhës, parajsa e komunizmit jugosllav nga njëra anë dhe ajo që do të duhej të ishte ferri jugosllav, për të nuk është gjë e madhe, është “deformim,” pra devijim i vogël, i korrigjueshëm dhe mikroskopik. Brenda “deformimeve” në fakt shkeleshin vlerat themelore të njeriut dhe shoqërisë njerëzore. Mijëra shqiptarë të vrarë në ditët e Administrimit Ushtarak pas Luftës e Dytë Botërore nga partizanët serbë e jugosllavë, Masakra e Tivarit, mijëra të burgosur politikë shqiptarë që kaluan vite në burgjet jugosllave, shpërngulja në Turqi dhe aksioni i armëve në mes të viteve 1950, shtypja në periudhën e Aleksandër Rankoviqit, janë vetëm disa deformime, sipas Fadil Hoxhës.

Nga libri “Fadil Hoxha në veten e parë…” ia vlen të tërhiqet paralelja krahasuese midis luftës së tij si partizan dhe luftës kundër brigadës së Shaban Polluzhës. Në tërë lëvizjet e tij si partizan figuron një sulm i kamionëve italianë në Grykë të Carralevës (128) sulmi në një autobus afër Prizrenit për një çantë me të holla, shumica e të cilëve u dhurohet kolonistëve (132), lufta kundër forcave shqiptare “balliste” në Veshallë të Tetovës, (173) ku siç thotë: “Unë besoj se janë vrarë së paku 10 – 15 veta, duke shkuar në përforcim të Brigadës Maqedonase Kosovare. Ndërkaq qëndrimi i aradhes së tij në Malet e Sharrit, është zero luftë, por është ballafaqim me borën dhe acarin e bjeshkëve të atjeshme. Por, në anën tjetër në libër me detaje të një skenari të denjë për një film jugosllav me temë të Luftës së Dytë Botërore, gjegjësisht me “partizanë dhe shqiptarë” është shtypja e kryengritjes në Drenicë në janar dhe shkurt 1945.

Me detaje deri në rezolucion “high definition” jepet përgatitja për të sulmuar pjesëtarët e brigadës së Shaban Polluzhës, të cilët u kthyen nga Podujeva për në Drenicë, duke refuzuar të hipin në kompozicionet e trenave që do t’i dërgonin në Srem e gjetiu për t’i ndjekë gjoja forcat gjermane, kur veç brigadat serbe kishin filluar terrorin mbi popullatën e Drenicës e gjetiu. MiladinPopoviqi, Kërsto Filipoviq dhe Fadil Hoxha ishin në krye të Shtabit Operativ. Brigada e Pestë dhe Batalioni 46 serb vendosen në kodrat rreth Podujevës. Fadil Hoxha me bateri topash vendoset në Lupç të Poshtëm (247), një batalion i Brigadës së Pestë tek ura e Lluzhanit. Sipas Fadil Hoxhës: “të gjitha shtabeve të brigadave dhe të njësive partizane, që morën pjesë në këtë aksion, u ishte dhënë urdhri me gojë e sqarimet e hollësishme që në çdo moment të vepronin. Disa njësi, që kanë qenë në terrene të tjera, u tërhoqën në Prishtinë, që të ishin të gatshme dhe rezervë për luftë në rast se do të sulmohej” (247).

Kapitulli i 13 i librit me titull “Drenica” (faqet 233 – 255) është kapitulli më armiqësor ndaj Drenicës dhe luftëtarëve të Shaban Polluzhës, kapitull i denjë për Antologji të Kronikave të Zeza të Historisë Shqiptare, që kulmon me urdhrin e Fadil Hoxhës: “M’u kujtua topi. Nga përvoja e dija se sa i frikësoheshin fshatarët topit. E pyeta komandantin e baterisë: “A e ke topin në rregull, dhe a mund të qëllosh me disa granata”. Më thotë se topi është në rregull dhe ka 12 granata. E urdhërova që të qëllonte, në mënyrë që të dëgjohej topi” (250). Sipas Fadil Hoxhës lufta kundër “brigadës së egër” (237) të Shaban Polluzhës “ ka zgjatë afër 1 muaj ditë” dhe “në luftë u vranë shumë njerëz. Është plagosur P. Brajeviqi” (252). Çfarë ndjenjë e fortë jugosllave! Shqiptarët nuk kanë emra, ndërkaq Fadil Hoxha është i pikëlluar për Petar Brajeviqin, zëvendës shefin e Shtabit Operativ. Fare gjakftohtë thotë se: “ Natyrisht, mjaft drenicali janë vra aty, por janë vra edhe shokët tanë, sidomos bukur do luftarë të Brigadës së Parë Kosovare” (252).

Në librin e Veton Surroit del në shesh një indiferencë mjaft interesante, mbledhja e Prizrenit më 10 korrik 1945. Se me çfarë indiference kaloi mbledhja flet vetë Fadil Hoxha: “Në korrik është mbajtur mbledhja e Kuvendit të Kosovës. Të gjithë jemi angazhuar për mbajtjen e Konferencës. Mbledhja është mbajtur më 8 – 10 korrik 1945. Në mbledhje kanë folur. Ajo që ka qenë karakteristikë ka qenë se të gjitha gjërat janë pranuar njëzëri. Është interesante se të gjithë delegatëve, që kanë qenë në Konferencë, ua kemi dërguar edhe materialet e Bujanit dhe material – raportin se çfarë ka punuar Këshilli Nacionalçlirimtar dhe konkluzionet që të aprovohet puna e deriatëhershme. Diskutimi është zhvilluar dhe është miratuar raporti i Pavlit. Pavli është zgjedhur sekretar i Këshillit. Japim në diskutim deklaratën që do t’i bashkohemi Republikës së Serbisë. Njëzëri pranohen të gjitha dokumentet. Të gjithë anëtarët e Bujanit kanë qenë aty e të gjithë janë pajtuar. Kjo domethënë që nuk kemi qenë të ngarkuar me çështjen e kufijve, as në Bujan, as dhe në Prizren. Kemi menduar pa rezervë për çështjen nacionale dhe ndërshtetërore. Kemi pasur bindje të thellë se marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë kurrë nuk do të prishen, por, përkundrazi” (273).

Menjëherë pas përfundimit të luftës, udhëheqja komuniste politike, strukturat policore dhe ushtarake fillojnë vendosjen e pushtetit dhe frymës serbe dhe jugosllave në Kosovë. Në Prizren vetë Fadil Hoxhës i imponohet që të shkruaj së pari fjalën serbe “Spisak” për “Listë” në bllokun ku regjistroheshin emrat e rekrutëve të rinj (259). Në 28 nëntorin e vitit 1945, ndalohet mbajtja e fjalimit solemn dhe shpalosja e flamurit kombëtar shqiptar (261). Menjëherë pas luftës, Fadil Hoxha shkon në Beograd. Ai është në krye të detyrës. Por ai duhet të shkojë për të qetësuar ushtarët shqiptarë ende të mobilizuar. “Në Vërshac kemi shkuar Toza Markoviq, unë dhe një gjyqtar… Unë isha në uniformë. Shkuam dhe bëmë hetime, bëmë seleksionimin, i ndamë nja katër veta, të cilët iu dorëzua gjyqit dhe situata u qetësua. Ushtarët që ndodheshin në Vërshac ishin prej Gjilanit”(271) E, sipas autorit Petrit Imami në fakt bëhet fjalë për 11 shqiptarë të pushkatuar (shih P.I. Shqiptarët dhe Serbët, libri i dytë, f.12). Po ashtu, Fadil Hoxhës “i kanë arritur pak vonë informatat për shpërnguljet e shqiptarëve në Turqi” (297), ashti si dhe aksioni për mbledhjen e armëve “të cilin bukur do kohë e kanë mbajtur fshehtë” (298).

Fadil Hoxha për një kohë të gjatë ka qenë funksionar federativ në nivel të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, Ai edhe vetë e pranon ndjenjën e inferioritetit krahasuar me profilet politike jugosllave. Çalon në ngritje intelektuale, teorike dhe doktrinare. Ka druajtje edhe kur bëhet shef i shtetit jugosllav, pas vdekjes së Titos, sipas çelësit të rotacionit ku i bie radha që Kosova ta kryesojë Federatën jugosllave. Tërë shkeljet e lirive dhe të drejtave të shqiptarëve Fadil Hoxha i përpin. Rënia e Rankoviqit dhe hapja e një kapitullit të ri politik kur Kosova bëhet me Kushtetutën e vitit 1974 nuk është meritë e Fadil Hoxhës as edhe kuadrove shqiptare jugosllave të Kosovës. Rankoviqi ra kur rrezikoi mareshalin Tito. Autonomia e forcuar e Kosovës erdhi si rezultat i neutralizimit të fuqisë së serbëve në kuadër të Federatës jugosllave, rezultat i politikës kroate dhe sllovene. Tërë plogështinë dhe qyqarllëkun përballë politikanëve serbë e jugosllavë Fadil Hoxha e arsyeton me këtë fjali se autoritetet dashakeqëse serbe: “S’kanë mujtë me na ngjit epitetin e tradhtarit” (261).

Një takim me të ngarkuarin me punë në ambasadën e Shqipërisë në Beograd, Dhimitër Lamanin, tregon më së miri Fadil Hoxhën e shpëlarë nga ndjenja kombëtare dhe qëndrimi disa kohë në Shqipëri, si nxënë në shkollën e Shkodrës dhe në Normalen e Elbasanit, Fadil Hoxhën kuadër tipik komunist jugosllav: “Ambasadorë të Shqipërisë vinin për të biseduar kur kishim ndonjë pritje… Ai kishte një letër para vetes dhe në bazë të asaj fliste. Na gëzon shumë fakti që afirmimi i shqiptarëve po bëhet normalisht në Jugosllavi, që nuk po fshihet statistika e popullsisë. Regjistrimi është bërë më 1971. Ma lëshoi diqysh me “jemi të gëzueshëm që ti je shqiptar”. Mos harroni, jam anëtar i Byrosë politike, i thashë, se më asgjë nuk mund të më përvetësoni, të më bëni për vete. Çdo tendencë juaja për të më bërë për vete, do të jetë e kotë, e keni gabim. Jam kuadër i Jugosllavisë dhe i Kosovës. Kur bisedoni me mua, ju bisedoni me një kuadër të Jugosllavisë dhe të Kosovës, por edhe si me një shqiptar. Në fund i them meqë ia pate këto shënime a bën të m’i japësh. Ia mora letrën që mbante në dorë. Më përshëndeti, më përcolli të fala prej Enver Hoxhës. Këtë letër e mora, e shkrova raportin dhe ia dërgova Byrosë dhe Titos” (237).

Fadil Hoxha në librin e Veton Surroit flet edhe për demonstratat e vitit 1981. Ai luftës kundër nacionalizmit shqiptar ia jep dritën e gjelbër, ndërkaq i djeg vetëm pozicioni individual. Për të, prej vitit 1981 deri më 1984 e tutje u intensifikua “lufta kundër komunistëve shqiptarë” (332). Ndërsa, “Komunistët shqiptarë tërë jetën e vet e kanë shkrirë për të krijuar një koshiencë sa më të lartë se vetëm vëllazërim-bashkimi na afron”(333). Më tutje ai shpjegon me detaje luftën që bëhet kundër tij, deri në përjashtim nga partia komuniste, pas demonstratave populiste serbe kundër tij, iniciuar nga gratë serbe, se gjoja ndaj tyre ka përdorur një shprehje ofenduese.

Në parathënien e tij “Duke pritur pranverën përsëri” Veton Surroi evidenton dy momente për të cilat është i vetëdijshëm Fadil Hoxha se nuk do t’ia falin kurrë: shtypjen e kryengritjes nacionaliste në Drenicë në të cilën morën pjesë rreth 40 mijë trupa partizane dhe thënien frazeologjike “bira e minit pesëqind grosh” për studentët e demonstratave të vitit 1981. “Nuk ma harrojnë!”, thotë Fadil Hoxha. Ndërkaq Veton Surroi komenton: “ Ishte i vetëdijshëm se për një pjesë të popullit, Drenica e vitit 1945 dhe demonstratat e vitit 1981 do të ishin momente me të cilat kundërshtarët brenda shqiptarëve do ta vlerësonin jetën e tij politike”(50).

Fadil Hoxha i Veton Surroit qëndron në libër. Veton Surroi i Fadil Hoxhës e vazhdon me kryeneçësi në librat e tij antiUÇK-ë mbivlerësimin e profilit politik të Fadil Hoxhës. Sipas tij Kosova nën udhëheqje e katërshes gjakovare, Fadil Hoxhës, Veli Devës, Ymer Pulës dhe Mahmut Bakallit ka arritur kulmin. As UÇK-ja as çlirimi i Kosovës, as të arriturat e pasluftës në Kosovën e lirë dhe të pavarur nuk e tejkalojnë vizionin dhe të arriturat e Fadil Hoxhës. Duke mos qenë protagonist i zhvillimeve politike në periudhën prej 22 viteve, për Veton Surroin më e mirë ishte Kosova para vitit 1999 se Kosova pas 12 qershorit 1999 e deri më tani. Luftën me libra kundër Hashim Thaçit e ka bukën e tij diskursive, nuk mund të thuhet krijuese as artistike, sepse faqet e librave të mbushura me helm dhe me vrer janë antinjerëzore. Të mos harrojmë, librat e tij përkthen me kënaqësi nga Beogradi. Luftën fadilhoxhiane kundër Drenicës Veton Surroi e vazhdon me pasion. Prandaj nuk është për t’u çuditur pse Milosheviqi e parapëlqente Veton Surroin për kryeministër të Kosovës në vend të Bujar Bukoshit, sipas ish ambasadorit britanik në Beograd Ivor Roberts (sipas librit “Conversationes with Milosevic”.