Një ditë pas vendimit të Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë për riorganizimin e orareve, shkolla “Ismail Qemali” ka bërë të ditur se nuk do ta zbatojë këtë ndryshim.
Arsyet e këtij kundërshtimi i ka paraqitur drejtoresha e shkollës, Mimoza Krasniqi, përmes një interviste në emisionin “Kosova Live” në T7, ku theksoi se kushtet aktuale nuk e lejojnë një riorganizim të tillë.
Sipas saj, shkolla është e mbingarkuar me nxënës, duke numëruar gjithsej 2889, të ndarë në dy ndërrime.
“2889 nxënës e frekuentojnë shkollën. Në ndërrimin e paradites janë 1300, ndërsa në ndërrimin e pasdites 1589. Mënyra se si Drejtoria e Arsimit ka kërku prej drejtorëve të shkollave të bëhet riorganizimi, shkolla ‘Ismail Qemali’ s’ka mujt me e praktiku. Fillon në 07:30 dhe përfundon ndërrimin e parë në 12:35, ndërsa ndërrimi i dytë fillon në 13:10 dhe përfundon në 17:25. Pra janë vetëm 35 minuta që punëtorët teknik i shfrytëzojnë për pastrim. Përveç kësaj, nxënësit në atë pushim të parë dalin ciklit të lartë i duhen 20 minuta me dalë prej objektit shkollor dhe 15 minuta ciklit të ulët me ardhë brenda në objektin shkollor. Këto janë arsyet pse shkolla jonë s’e ka pranu.”, tha Krasniqi.
Krasniqi shtoi se një riorganizim i tillë është i pazbatueshëm në praktikë, duke marrë parasysh kohën e kufizuar mes ndërrimeve dhe nevojën për mirëmbajtje të hapësirave shkollore.
“Edhe prindërit, edhe mësimdhënësit, edhe drejtoria, edhe Ministria e Arsimit besoj e dinë që shkolla jonë s’mundet me bo kësi riorganizimi, sepse shkolla është e mbingarkume.”