Pse u liruan infermieret që dyshohen se sulmuan të moshuarën në Pejë, ky është aktgjykimi i Supremes - Gazeta Express
string(99) "pse-u-liruan-infermieret-qe-dyshohen-se-sulmuan-te-moshuaren-ne-peje-ky-eshte-aktgjykimi-i-supremes"

Pse u liruan infermieret që dyshohen se sulmuan të moshuarën në Pejë, ky është aktgjykimi i Supremes

Lajme

Gazeta Express

25/11/2022 13:07

Tri infermieret e dyshuara për rastin e sulmit ndaj të moshuarës në Qendrën “Orenda” në Pejë, do të mbrohen në liri. Vendimin e ka marrë Gjykata Supreme, pas ankesës së avokatit të një prej të dyshuarave. Por, pse u vendos për lirimin e tyre nga paraburgimi? Gazeta Express ju sjell Aktgjykimin e plotë të Supremes.

Gjykata e Supremes ka vendosur që t’ua ndërpresë masën e paraburgimit tri infermiereve të dyshuara për sulmin ndaj një të moshuare në Qendrën për të Moshuar në Pejë “Orenda”.

Lexo Edhe:

Këtë vendim, Supremja e ka marrë pas ankesës së avokatit të një prej të dyshuarave për këtë vepër.

Me pranimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të të pandehurës A.R., e sipas detyrës zyrtare edhe për të pandehurat A.P. e R.K., ndryshohen aktvendimi i Gjykatës Themelore në Pejë – Departamenti i Përgjithshëm DP.PP.nr.336/2022 të datës 03.11.2022 dhe aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës – Departamenti i Përgjithshëm PN1DP.nr.1561/2022 të datës 11.11.2022, ashtu që të pandehurave iu ndërpritet masa e paraburgimit dhe të njëjtat lëshohen menjëherë për tu mbrojtur në liri”, thuhet në aktgjykimin e Supremes, që e ka siguruar Gazeta Express.

Aktgjykimi i Supremes

Vendimin për lirim nga paraburgimi, kjo gjykatë e ka arsyetuar duke thënë se s’ka arsye për të besuar se të pandehurat do të asgjësojnë, fshehin apo ndryshojnë provat e veprës penale.

Sipas Supremes, “nuk qëndron fakti se të pandehura do të mund të ndikojnë tek e dëmtuara apo dëshmitarët, sepse provat gjegjësisht deklaratat e tyre ekzistojnë në shkresat e lëndës.”

“Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, pretendimet nga kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë janë të bazuara, ngase pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe kërkesës së mbrojtësit të të pandehurës, kjo gjykatë vlerësoj se aktvendimet e kundërshtuara duhen ndryshuar dhe e pandehura duhet liruar nga masa e paraburgimit, për arsye se këto aktvendime janë të paqëndrueshme, për çka me të drejtë tërheq vërejtjen mbrojtësi në kërkesën e tij. Kjo gjykatë konsideron se nuk qëndron baza ligjore e parashikuar me dispozitat e nenit 187 par.1 nënpar.1.1 e 1.2 pika 1.2.2 të KPPK, sepse siç rezulton nga shkresat e lëndës nuk ka arsye për të besuar se të pandehurat do të asgjësojnë, fshehin apo ndryshojnë provat e veprës penale, nuk qëndron fakti se të pandehura do të mund të ndikojnë tek e dëmtuara apo dëshmitarët, sepse provat gjegjësisht deklaratat e tyre ekzistojnë në shkresat e lëndës”, thuhet tutje në aktgjykim.

Tri infermieret u arrestuan pas publikimit të një videoje në rrjete sociale, ku shiheshin teksa e keqtrajtonin fizikisht një të moshuar, e cila ishte banore e Qendrës “Orenda”.

Njëra e rrahte me shuplaka, tjetra i ndihmonte kohë pas kohe duke ia mbajtur duart, e një tjetër e incizonte gjithë këtë skenë të tmerrshme. Në video, dëgjohen infermierët duke qeshur, derisa e sulmonin të moshuarën.

Pamjet janë bërë virale dhe kanë ngjallur reagime të shumta.

Pas publikimit të videos, të moshuarën e kanë larguar familjarët nga qendra, e infermierët janë arrestuar dhe u është revokuar licenca përkohësisht. Ato dyshohen se kanë kryer veprën penale “sulmi”.

Të nesërmen, Gjykata Themelore e Pejës ua kishte caktuar të njejtave masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Caktimin e kësaj mase, Gjykata e kishte arsyetuar me rrezikun e ndikimit në dëshmitarë, që janë pjesë e stafit të shtëpisë së kujdesit shëndetësor ku ka ndodhur vepra penale e të cilët nuk janë identifikuar dhe deklaruar ende, si dhe në deklaratën e viktimës. Po ashtu, thuhet se ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale.

“Të pandehurave iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh pasi që gjyqtari i procedurës paraprake, në vlerësim të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë për caktim të masës së paraburgimit ndaj të pandehurave konstatoi se ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtat e kanë kryer veprën penale që ju vihet në barrë ngase ky dyshim mbështetet në provat që janë dorëzuar nga prokuroria dhe se me gjetjen e mundshme të pandehurave në liri ekziston rreziku i ndikimit në dëshmitarë të cilët janë pjesë e stafit të shtëpisë së kujdesit shëndetësor ku ka ndodhur vepra penale e të cilët nuk janë identifikuar dhe deklaruar ende, si dhe ndikimit në deklaratën e të dëmtuarës pasi që e njëjta është në gjendje të rënduar shëndetësore dhe nuk është deklaruar ende”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Pas pamjeve të publikuara, edhe Ministria e Financave, ka reaguar duke ia revokuar licencën kësaj qendre.

“Pas publikimit të pamjeve të sulmit fizik ndaj të moshuarës në subjektin ‘Orenda’ në Pejë, Njësia e Inspektimit të Shërbimeve Sociale ka bërë inspektimin e menjëhershëm të vendit të ngjarjes, si dhe intervistimin e stafit të qendrës dhe dëshmitarëve të rastit. Me përmbylljen e raportit të inspektimit, i njëjti i është dorëzuar sot Komisionit Licencues, i cili ka mbajtur një takim urgjent, ku është marrë vendim që subjektit ‘Orenda’ t’i revokohet licenca për ofrimin e shërbimeve sociale”, thuhet në njoftimin e Ministrisë./Gazeta Express