Pse u fut manastiri i Deçanit në top-listën e vendeve më të rrezikuara? Nga Europa Nostra flasin për Express - Gazeta Express

Lajme

Arbër Jashari

13/04/2021 18:23

Pse u fut manastiri i Deçanit në top-listën e vendeve më të rrezikuara? Nga Europa Nostra flasin për Express

Lajme

Arbër Jashari

13/04/2021 18:23

Organizata “Europa Nostra” që merret me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore në Evropë, në një përgjigje për Gazetën Express, thonë se nominimi i Manastirit të Deçanit në listën e 7 Vendeve më të Rrezikuara për vitin 2021 është mbështetur në raporte ndërkombëtare, por përveç kësaj për nominim është përfshirë edhe konsultimi me Igumenin e Manastirit të Deçanit, Sava Janjiqin. Europa Nostra përmend edhe letrën e kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani dërguar kësaj organizate më 18 mars të këtij viti.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Zëvendëspresidenti i “Europa Nostra”, Guy Clausse, tha për Gazetën Express se nominimi i Manastirit të Deçanit në listën e 7 Vendeve më të Rrezikuara për vitin 2021 është bërë nga rrjeti evropian “ E ardhmja për Trashëgiminë Fetare”.

Sipas Cluasse, nominimi është mbështetur në raporte të ndryshme ndërkombëtare, por edhe në bisedë me Igumenin e Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq.

“Nominimi i Manastirit të Deçanit për Listën e 7 Vendeve më të Rrezikuara për vitin 2021 është bërë nga rrjeti evropian “E ardhmja për Trashëgiminë Fetare”. Ata janë anëtarë aktivë të Aleancës Evropiane të Trashëgimisë, të koordinuar nga “Europa Nostra”. Nominimi është mbështetur në të dhënat e qasshme publikisht, përfshirë Raportet për Gjendjen e Konservimeve, të qasshme në uebfaqen e UNESCO-s, në raportet e shumta (ndërkombëtare) të medieve si dhe në bisedën e duhur me përfaqësuesin e objektit të rrezikuar, më saktësisht igumenin e Manastirit të Deçanit. Ky nominim është hulumtuar tërësisht dhe është diskutuar nga Paneli Këshillues i Programit për 7 Vendet më të Rrezikuara, që përbëhet nga 16 ekspertë ndërkombëtarë nga e tërë Evropa. Ata janë pajtuar njëzëri që ta përfshijnë Manastirin e Deçanit (që tashmë figuron në “Vendet Botërore të Trashëgimisë në Rrezik që nga viti 2006) edhe në listën e shkurtër të 12 vendeve për listën tonë të vitit 2021 për 7 Vendet më të Rrezikuara në Evropë”, thuhet në përgjigjen e Europa Nostra për Gazetën Express.

Tutje, organizata “Europa Nostra” thotë se Bordi i organizatës ka shqyrtuar edhe letrën e kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani, dhe pas një varg arsyesh të vlefshme bordi ka vendosur që Manastiri i Deçanit duhet të përfshihet në listën përfundimtare.

“Kjo listë e shkurtër më pas është hulumtuar nga bordi i “Europa Nostra”-s. Bordi gjithashtu e ka analizuar në mënyrën e duhur letrën e ankesës që është marrë së pari nga organizata jonë anëtare, “Trashëgimia Kulturore Pa Kufij”, me seli në Prizren, dhe ka zhvilluar bisedë me drejtorin ekzekutiv të saj. Bordi gjithashtu e ka analizuar në mënyrën e duhur letrën e shqetësimit, të marrë së voni nga Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti. Për një varg të arsyeve të vlefshme, siç kemi sqaruar në deklaratën tonë për shtyp, bordi i “Europa Nostra”-s vendosi që Manastiri i Deçanit duhet të përfshihet në listën përfundimtare. “Europa Nostra” tani do të organizojë biseda të plota me të gjitha palët e përfshira me qëllim të propozimit të një raporti të hollësishëm dhe gjithëpërfshirës për gjendjen e tanishme me rekomandimet për largimin e çfarëdo pengese për të siguruar mbrojtje të duhur për këtë vend të jashtëzakonshëm të Trashëgimisë Botërore. Ne mbesim të bindur se ky vend dhe çfarëdo trashëgimie tjetër kulturore në Kosovë ose në rajonin më të gjerë nuk duhet të jetë burim konflikti, por të shërbejë si lidhje e çmueshme mes të gjitha qytetarëve që janë të përkushtuar ndaj vlerave evropiane, që janë të përkushtuar ndaj rivendosjes së dialogut dhe paqes mes kombeve me respektin e duhur ndaj identitetit të tyre kulturor dhe shpirtëror”, thuhet në përgjigje.

Më 18 mars, Kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani i kanë dërguar një letër organizatës “Europa Nostra” lidhur me futjen e Manastirit të Deçanit në listën e ngushtë të 7 vendeve më të rrezikuara në Evropë për vitin 2021.

Në këtë letër shefi i qeverisë dhe shefja e shtetit kanë argumentar pse Manastiri i Deçanit nuk i plotëson kriteret për të hyrë në programin e “Shtatë monumenteve më të rrezikuara”.

Më 6 prill, organizata “Europa Nostra” i kanë kthyer përgjigje Kurtit dhe Osmanit lidhur me futjen Manastirit të Deçanit në në listën e ngushtë 7 Monumenteve më të Rrezikuara në Europë, duke thënë se e vlerësojnë angazhimin e tyre për të mbrojtur përparimin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore në Kosovë.

Ndaj futjes së Manastirit të Deçanit në listën e 7 Vendeve më të Rrezikuara në Evropë ka reaguar edhe ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku.

Çeku ka thënë se monumentet e përfshira në listën e Europa Nostra janë në rrezik shkaku i faktorëve të ndryshëm, ndërkaq përjashtim bën Manastiri i Deçanit.

“Monumentet e përfshira në listën e Europa Nostra janë vërtet në rrezik duke qenë se u kanoset edhe shembja për shkak të faktorëve të ndryshëm. Përjashtim këtu bën vetëm Manastiri i Deçanit i cili, në vetë arsyetimin e Europa Nostra, përshkruhet si një objekt funksional kulti, në gjendje të mirë, ku zhvillohen liturgjitë ditore, ku komuniteti kryen ceremonitë e tyre duke qenë i hapur edhe për pelegrinë”, ka thënë ministri Çeku të shtunën./Express/