PSE U DISKREDITUAN PRONARËT E SHTËPIVE-SHKOLLA? - Gazeta Express

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

08/06/2020 9:41

PSE U DISKREDITUAN PRONARËT E SHTËPIVE-SHKOLLA?

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

08/06/2020 9:41

Drejtuar të gjithë atyre që u shkolluan në shtëpitë shkolla e që sot janë në vendimmarrje të vendit Tonë, por edhe të tjerëve

Shkruan Ahmet Namani

Miratimi i Ligjit për mësimdhënësit e viteve 90-ta nuk solli asgjë në përmirësimin e gjendjes financiare të pensionistëve pronarë të shtëpive-shkolla. U hesht dhe po heshtet çështja e tyre. Me këtë ligj nuk u parapanë mjetet e nevojshme financiare për kompensimin e pensioneve të tyre, edhe pse draftligji parashihte këtë sikurse për mësimdhënësit.

Legjislaturat e mëparshme nuk u morën me këtë çështje, pasi që Kuvendi e shpërfilli këtë kërkesë të qytetarëve pronarë të shtëpive-shkolla të viteve 90-ta. Shpërfilli kërkesat e atyre të cilët në kohëra tejet të vështira bashkëndanë dhe lëshuan dhomat e tyre të gjumit dhe të pritjes, korridoret dhe hapësirat e tjera të banimit vetëm e vetëm që shkollat në gjuhën shqipe të funksionojnë dhe të vazhdohet mësimi në gjuhën shqipe. E sidomos deputetët e legjislaturës së gjashtë, të cilët thua se kishin ardhur nga një planet tjetër, nuk ditën të bëjnë vlerësimin e duhur për pronarët e shtëpive-shkolla, kur dihet se pronarët e shtëpive-shkolla, së bashku me mësimdhënësit dhe të tjerët dashamirë të shkollës shqipe, nxorën në dritë patriotizmin siç kanë bërë të burgosurit politikë, veteranët e luftës etj. Dhanë shembull të mirë se si mbrohet çështja kombëtare. Ju lumtë përherë! Këta pronarë të shtëpive-shkolla, me dashamirësi i hynë kësaj pune përkundër kërcënimeve, burgosjeve, keqtrajtimeve, bisedave informative, rrahjeve të shumta, dhe nuk iu gjunjëzuan policisë okupuese serbe. Këta, për atë u bënë heronj dhe asnjëherë nuk u skuqën, as që u revoltuan se pse u thye xhami, se pse u shkarravit muri i shtëpisë, e as atëherë edhe kur ju dogjën shtëpitë, por qëndruan. Pronarët e shtëpive-shkolla nuk kërkuan dëmshpërblim e as kompensim pensioni, edhe pse këtë e bënë mësimdhënësit e shtëpive-shkolla në peticionin e tyre të para katër vjetësh.

Komisioni për Arsim, në përbërjen e të cilit ishin edhe dy mësimdhënës të viteve 90-ta, e edhe deputetët të cilët u shkolluan në këto shtëpi-shkolla, u angazhuan shumë pak në këtë drejtim duke u mos marrë sa duhet me rëndësinë e këtyre shtëpive-shkollave që tashmë u bënë pjesë e historisë sonë të lavdishme, por lejuan të diskreditohen pensionistët pronarë të shtëpive-shkolla duke u pamundësuar të kenë një pension të dinjitetshëm, njëjtë si mësimdhënësit e viteve 90-ta që punuan në këto shtëpi-shkolla, meqë kontributi ishte i përbashkët e jo i ndarë.

Për këtë diskreditim të pronarëve të shtëpive-shkolla një pjesë e përgjegjësisë i bie edhe vetë Ministrisë së Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë, e cila që 20 vjet nuk bëri asgjë në këtë drejtim edhe pse në deklaratat e përfaqësueseve të saj pati plot lëvdata. Qysh në vitin 2010, në muajin maj, Agim Hyseni zëvendësministër i atëhershëm premtoi se shtëpitë-shkolla do të evidentohen dhe do t’ju vihen pllakat në shenjë respekti dhe mirënjohje për kontributin e dhënë për shkollimin e gjeneratave të viteve 90-ta. Ky premtim as që u realizua deri me tash, e as që u punua në këtë drejtim, edhe përkundër asaj që më 2013 një deputet i VV-së dy herë i parashtroi pyetje ministrit të atëhershëm të arsimit Ramë Bujës, por përgjigje nuk mori e mos të flasim për ministrat e tjerë përfshirë edhe këtë të fundit që nuk punuan fare në këtë drejtim.

Qeveria dhe Kuvendi i legjislaturës së gjashtë, në fillim të vitit 2019, duke u shtyrë nga kërkesat e SBASHK-ut, u mor me shqyrtimin e statusit të mësimdhënësve të viteve të ’90-ta, dhe nxori ligjin me të cilin pensionistët mësimdhënës të viteve të ’90-ta kompensohen me mjete financiare në vlerë 95€, ndërsa për pronarët e shtëpive-shkolla nuk u parapa një gjë e tillë.

Por, për pensionistët pronarë të shtëpive-shkolla nxirret një Udhëzim Administrativ për njohjen e kontributit të pronarëve të shtëpive-shkolla nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99. Me këtë Udhëzim Administrativ nuk bëhet kompensimi  financiar i pensionistëve pronarë të shtëpive-shkolla, por jepen disa beneficione të vogla e të pavlerë për fëmijët e pronarëve të shtëpive-shkolla duke paraparë ndarjen e bursave dhe përparësi në vendosjen e tyre në Qendrat e Studentëve dhe të Nxënësve. Këto beneficione as që mund të realizohen tash, meqë pronarët e mbetur gjallë të shtëpive-shkolla janë të moshuar dhe mosha për shkollim e fëmijëve të tyre ka përfunduar para 20 vjetësh.

Ndërsa, sa i përket vënies së pllakave përkujtimore DKA-të dhe MASHT-i nuk lëvizën në këtë drejtim, por ne nuk duhet të harrojmë se ia kemi borxh historisë dhe jo vetëm pronarëve të shtëpive-shkolla vendosjen e pllakave përkujtimore.

S’do mend se shtëpitë shkolla nuk duhen harruar asnjëherë! Ato duhen përkujtuar meqë shumë rrallë u përmendën nga partitë politike dhe nga institucionet shtetërore, prandaj edhe nuk u vlerësuan sa duhet a shumë pak nga deputetët e të gjitha legjislaturave të deritashme të Kuvendit tonë. Këtë shpërfillje nuk e merituan pronarët e shtëpive-shkolla, edhe pse kontributi i shkollimit të viteve të ‘90-ta ishte i përbashkët – i pronarëve të shtëpive-shkolla dhe i mësimdhënësve, por pronarët u ndanë dhe e u veçuan shpërfillshëm.

Por, kam besimin e thellë se Populli do të dijë të vlerësojë dhe të respektojë mundin, sakrificën dhe guximin e pronarëve të shtëpive-shkolla, pa marrë parasysh se subjektet politike dhe deputetët e tyre (që nuk ishin të popullit) nuk ditën të bëjnë sa duhet dhe si duhet vlerësimin, por ditën të bëjnë diskriminimin dhe diskreditimin e pronarëve të shtëpive-shkolla. Pra, në mbamendjen e Popullit do të përkujtohet dhe vlerësohet ndershmëria e këtyre njerëzve që iu gjetën popullit në kohë tejet të rënda të historisë.

Na mbetet të shohim se Legjislatura e tashme, e cila erdhi falë kërkesës së Popullit për ndryshime, të dijë dhe të dojë t’i qaset kësaj çështje më ndryshe dhe të korrigjojë lëshimin e bërë dhe padrejtësinë ta kthejë në drejtësi duke i barazuar pronarët e shtëpive-shkolla me mësimdhënësit e viteve të ’90-ta në mënyrë që pronarëve të shtëpive-shkolla tu jepet një pension i dinjitetshëm.

E sa i përket vënies së pllakave përkujtimore ua kemi borxh jo vetëm pronarëve të shtëpive-shkolla, por edhe historisë dhe pasardhësve të pronarëve të shtëpive-shkolla, këtë për më shumë ia kemi borxh vetë Popullit.

Pres që Qeveria e Re të ushtrojë autoritetin ligjor në DKA-të, e MASHT-i të përgatisë sa më parë listat e shtëpive-shkolla dhe të fillohet me vënien e pllakave përkujtimore modeste se këtë e meritojnë pronarët e shtëpive-shkolla e po ashtu edhe gjeneratat e ardhshme.

Ahmet Namani

Veteran i arsimit

Në Prishtinë, më 20 shkurt 2020