Pse sot jam antiopozitar - Gazeta Express
string(24) "pse-sot-jam-antiopozitar"

Pse sot jam antiopozitar

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

11/05/2021 16:20

Agonia do të ishte aferisisht termi i duhur që do të përshkruante gjendjen e opozitës së tanishme

Shkruan: Fisnik Dragusha

Si temë e rrekur – e shtjelluar prej shumë personaliteteve duke perfshire gazetarë, shkrimtarë si George Orwel, deri tek ata  shqiptarë, diskutohet se pse ndodhë kjo. Natyrisht që keqkuptimi është i gatshëm dhe lë shije sikur vardisje ndaj pushtetit apo opurtunizëm, megjithatë premisa e tillë është e gabuar dhe duhet durim të lexohet si kontradiktë brenda vetes. A është titulli diçka simptomatike dhe si duhet lexuar kjo sot? 

Ideja e antiopozitarizmit na shfaqet disa herë pergjatë historisë, herë në formë të imponuar e here si e keqja më e vogël. 

Forma e imponuar nënkupton shtypje të demokracisë, vdekje e pluralizmit, mungesë të medias së lirë, njëashtu edhe të shoqërisë civile. Qëllimi ishte të krijohet klima asisoj. Rast eklatant shërben kryesisht modeli i lindjes, me komunizmin, e në veçanti Shqipëria pas luftës së dytë botërore, ku me instalimin e sistemit monist, tendenca ishte që shoqëria t’i bindej kastës udhëheqëse dhe fillon ndjekja e opozites, cilësimi i opozitarëve si renegat, shkelës te parimeve, agjent të shërbimeve të huaja, pra ideja ishte që opozitarizmi nënkuptonte rrjedhimisht antipopulloren dhe në opinon krijohej stigma. 

Si zgjedhje personale, nënkupton që opozita ka degdisur si mos me keq, dhe keshtu nuk ofron alternativë. Ligjërimi “pasionant” dhe me plot dashuri për vendin mëton të ngjallë diçka, e në fakt prodhon pezm. Ajo perveç se nuk ka autenticitet, ajo që prodhon është butafori. 

Kur themi butafori, nënkuptojme një turmë të pa organizuar e të zhurmshme që nuk prodhon asgjë konkrete. Rastet e fundit me Gjykaten Speciale, kërkesa karshi Kryeministrit për shkarkimin e Donika Gervallës, si dhe pagesa për faturat e veriut, thirrjet për kujdes ndaj qeverisjes autoritariste, etj., që të gjitha këto përbëjnë kolazhin e kritikave ku nuk i’u dihet fillimi dhe as fundi. Filozofi amerikan Frederic Jamson ne librin e tij “Postmodernizmi – kultura logjike e kapitalizmit të vonshëm” e përshkruan si “Pastish” që i bjen një lloj perzierje. 

Duke mos qenë në gjendje që të prek e të thelloj kritikën, ajo nuk mund ta fus në orbitën e frymëzimit asnjë problematikë sociale – politike. Hovet e saja janë sporadike, dhe vërehet sheshazi mungesa e forcës morale, si rrjedhojë e qëndrimit të gjatë në pushtet. Vendosshmëria e tyre duket të jetë false, për arsye se kanë dëshmuar me qindra herë se ata përkulen, madje edhe kur kanë plotësisht të drejtë. Ndjenjat e tyre ngriten me aq shpejtesi sa edhe fashiten per nje arsye te thjeshtë, mungesë e konsistencës politike. 

Te opozita e tanishme, nuk vihet re intuita politike, ka mangesi të theksuara organizative dhe nuk e ndjejnë pulsin e masës. Kjo nuk nënkupton që duhet të rreshqas në popullizëm, mirëpo mund të interpretohet si mungesë e talentit politik.

Revoltat politike janë kundershti që shperthejnë kundër institucioneve dhe kundër rendit në fuqi. Ajo çfarë shohim tash është zemërim kundër dikujt dhe kundër diçkaje .

Kronologjia e veprimeve të opozitës e vë në pah mungesën e idesë politike që assesi nuk po arrinë të etablohet në kritikë të mirëfilltë politike, të rritet e të sublimohet në sensin që brenda saj ka univerzalen, dhe kështu bëhet dallimi me reaksionin dhe reaksionarët. 

Reaksionaret nuk janë njerëz të përshtatshëm për veprim politik do të thoshte Marksi. Kritika në këtë rast nuk e vë theksin të trajtimi i karaktereve apo egove personale dhe si e tillë nuk do te duhej të keqkuptohet. 

Megjithatë është thirrje për opozitën të kqyret në pasqyrë në mënyrë që të krijoj imazhin e qartë për veten. 

Agonia do të ishte aferisisht termi i duhur që do të përshkruante gjendjen e opozitës së tanishme.