Pse po çuditemi - Gazeta Express
string(15) "pse-po-cuditemi"

OP/ED

Dritan Dragusha

19/09/2023 18:48

Pse po çuditemi

OP/ED

Dritan Dragusha

19/09/2023 18:48

Vendin e çudës duhet ta zërë një vullnet, një përgjegjësi e lartë institucionale dhe morale që të ndërtojmë mekanizma efikas, të qëndrueshëm dhe në mbikëqyrje të vazhdueshme profesionale, që përveç që preventojnë dhunën edhe edukojnë shoqërinë

Dritan Dragusha

Lexo Edhe:

Njeriun me probleme mentale ne e trajtojmë dhunshëm, i shfryejm frustrimet tona në të. Përveç që këtë njeri vazhdojmë ta mbajmë mbyllur nga rrethi, sepse e konsiderojmë si diçka të ligë për ne, ende vazhdojmë ta trajtojm sikur nuk është pjesë e jona. Me këtë njeri jemi zabvitur dikur, zbavitemi edhe sot. Kur dalim në rrugë dhe na e zë syri një romë fillojmë dhe shajmë mar’e mbrapsht, edhepse ai nuk është duke na bërë asgjë. Para të fortit luajmë të dobëtin, kurse para të dobëtit e luaj të fortin. Dhunën përveç që e kemi përbrendësuar, e kemi bërë edhe pjesë të natyrshme të sjelljes sonë. Ne ende vazhdojmë të mendojmë se dikush e meriton një shuplakë, një grusht apo një plumb n’lule t’ballit. Dhunën e ndjejmë si pjesë të pandashme në komunikimin tonë. “Çohu, çka je shtre k’tu si bollicë”, i thoshte dikur një shtatzënes një infermiere në maternitet. “Edhe ti e ke lypë!”, i kishte pasë thënë një polic një gruaje, e cila deklaronte para gjykatësit, pasi që kishte shkuar ta paraqiste rastin e dhunës në familje. Një politikanë i thoshte një tjetrit që nëse dëshiron edhe dalim jashtë  dhe i qërojmë hesapet.

Në komunikacion jemi vrasës në tentativë. Pastaj, kemi hoxhallarë që shfaqen në ‘tik-tok’ dhe tregojnë se si dhe kur duhet rrahur gruaja dhe videot e tyre shikohen nga qindra mijëra njerëz. Nacionalistët, që pretendojnë ende në shëmbëlltyrën e tyre patriotike, kombëtare e morale, ende mendojnë se ai i etnisë tjetër është veçse një armik që pret ditën e vet, prandaj që në çastin e parë duhet eleminuar. Homofobët që deklarojnë me krenari në publik se njerëzit me orientim seksual të ndryshëm nga ta duhet t’u gjejmë “zgjidhje” njëherë e mirë dhe krejt kjo në emër të prishjes së familjes sonë të shenjët. Ndërsa e dimë po ashtu, se ne në familje, ndër të tjera, edhe bullizojmë dhe bullizohemi vazhdimisht. Nëpër gjykatat e Republikës banojnë me dhjetra mijëra lëndë me vite të tëra.

Në shkollë nxënësin me nota të dobëta e kemi cilësuar dhe e cilësojmë ende edhe si djalë apo vajzë të keqe, kurse njeriun kokëfortë, me karakter të fortë e cilësojmë si njeri të poshtër. Nëpër televizionet tona me dhjetra herë kemi parë, ‘live’, se si njëri-tjetrit i thonë se: ti je vrasës!, ti je kriminel! ti je hajn!; nuk ka lidhje që këtë e bëjnë pa pasur asnjë fakt. Gjithashtu, politikanët shqiptar gati më shumë se një shekull e akuzojnë njëri-tjetrin se X-i e ka shitur vendin dhe ka kryer tradhti kombëtare qe veç plumbi e lanë. Thua ti se vendi është një mall që shitet kaq lehtësisht në treg. Ne ende përpiqemi që në momentin kur një qen na kalon afër mundohemi ta lëndojmë ose një mace ta ndjekim me veturë për ta shkelur. Dikush veç pse ka kaluar këmbë nëpër arë e tjetrit, ata dalin e rrahin ose edhe e vrasin.

Përditë lexojmë ose dëgjojmë lajme të natyrës se si: “Vjehrri dhe kunati e rrahën dhe e bëjnë nusen për spital”. Se si “axha vret nipin për kaq para borxh që ja kishte”. Të gjitha këto dhe shumë të tjera që i shohim dhe dëgjojmë përditë dhe ato që nuk i shohim e dëgjojmë, por që ne e dimë se ndodhin vazhdimisht, janë bërë gati se pjesë normale e jetës sonë. Shoqëri që dhunës ia ka dhënë edhe tagrin e edukatës. Ende besojmë se dhuna e drejton njeriun në rrugën e duhur. Pra, kjo shoqëri ka kohë që është zhytur në një spirale të dhunës në të gjithë strukturën dhe hierarkinë sociale, si nëfamilje, në çerdhe, në shkolla, në spitale, në polici, e deri në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kështu që, në këtë shoqëri kur dëgjojmë për dhunën nuk ka vend për t’u çuditur (sic!). Prandaj, vendin e çudës duhet ta zërë një vullnet, një përgjegjësi e lartë institucionale dhe morale që të ndërtojmë mekanizma efikas, të qëndrueshëm dhe në mbikëqyrje të vazhdueshme profesionale, që përveç që preventojnë dhunën edhe edukojnë shoqërinë. Përndryshe, i gjithë ky muhebet në këtë shoqëri më duket se vetëm po riciklohet sa herë që plasë diçka e tillë në publik dhe e gjithë kjo na duket pastaj sikur ajo thënia: “Fol e rruj vó”.