Pse (nuk) ka ndryshuar Kurti - Gazeta Express

Gazeta Express

16/11/2020 13:18

Pse (nuk) ka ndryshuar Kurti

Gazeta Express

16/11/2020 13:18

Gjërat kanë ndryshuar shumë, por jo edhe Kurti. Kurti është i njëjtë edhe me këtë rast. Por arsyeja pse ai tani ka një qasje tjetër, pak më ndryshe, për ata që VV i ka shpallur e ndëshkuar si fajtor kryesor që e paskan shkatërruar e tradhtuar këtë vend, tash e dy decenie, nuk është ndryshim kualitativ, por vazhdimësi e mendësisë së njëjtë përjashtuese, pa kurrfarë dhembshurie atdhetare, pa kurrfarë pendesa se e ka tepruar me reagime e qasje politikisht hamshore

Shkruan: Faton Abdullahu

Lexo Edhe:

Dikush që është i bindur se me politikat e tij të deritashme ka fituar zgjedhjet, dhe se me të njëjtat i fiton mbi 50 % edhe në zgjedhjet e ardhshme, nuk mund të pritet se do të bëjë ndryshime të mëdha në politikë. Por kështu nuk po mendojnë disa, të cilët pasi kanë dëgjuar konferencën për shtyp të kryetarit të VV-së dhe qëndrimet e vlerësimet e tij për ata pjesëtarë të UÇK-së, të cilët sot po akuzohen dhe janë para Gjykatës Speciale, po mendojnë se ky është ndryshim i madh, mbase një kurs i ri në politikat e VV-së.

Unë mendoj se gjërat kanë ndryshuar shumë, por jo edhe Kurti. Kurti është i njëjtë edhe me këtë rast. Por arsyeja pse ai tani ka një qasje tjetër, pak më ndryshe, për ata që VV i ka shpallur e ndëshkuar si fajtorë kryesorë që e paskan shkatërruar e tradhtuar këtë vend, tash e dy decenie, nuk është ndryshim kualitativ, por vazhdimësi e mendësisë së njëjtë përjashtuese, pa kurrfarë dhembshurie atdhetare, pa kurrfarë pendesa se e ka tepruar me reagime e qasje politikisht hamshore. Por kjo qasje ndryshe, ka ndodhur për disa shkaqe tjera.

1) Për shkak se njëri nga të akuzuarit Rexhim Selimi është nga ata që ka funksion të lartë në VV, kurse ndikimi i tij moral në perceptimin e kësaj partie, është edhe më i madh se funksioni i tij, e që lidhet sidomos me veprimtarinë e tij në UÇK.

2) Për shkak se z. Kurti tani, sido që e vlerëson dhe çfarëdo qëndrimi që do të mbajë për të akuzuarit nga Gjykata Speciale, nuk mund t’i ndajë as dallojë ata, në njërën anë Thaçi, Veseli e Krasniqi e në anën tjetër Selimi. Jo, nuk mundet assesi, prandaj ka vendosur të flasë për të gjithë njësoj dhe është i shtrënguar të flasë pozitivisht jo vetëm për Selimin.

3) Për shkak që ta ndërtojë një bazë dhe mbi të ta ngrejë kauzën e re, si akuzë kundër Qeverisë Hoti e cila nuk po bëka sa duhet për të akuzuarit në Gjykatë. Duke e akuzuar Qeverinë Hoti se nuk po bën sa duhet për të arrestuarit në Hagë e përmbush borxhin ndaj Selimit.

4) Për shkak se një pjesë e madhe e anëtarëve dhe simpatizantëve të VV-së e kanë kuptuar shumë më herët dhe më mirë se z. Kurti, se Gjykata Speciale është kundër vlerave të luftës dhe përdorimi i tyre për shtetndërtimin e Kosovës.

5) Për shkak se e ka kuptuar se, nuk mund të jetë me presidentin Biden dhe në të njëjtën kohë të jetë kundër atyre që kanë merita shumë të mëdha pse  Biden është angazhuar në Kosovë dhe ka kontribuar në pavarësimin e saj.

Z. Kurti nuk ka ndryshuar, është i njëjti. Ata që thonë se ka ndryshim të madh dhe kualitativ te Kurtit, e kanë këtë më shumë nga dëshira për risi e unitet në politikë sesa nga vlerësimi i bazuar në fakte. Kurti nuk do të ndryshojë sot. Kurti ndryshon vetëm nëse në mendësinë e tij politike dhe jo vetëm, e pranon se:

1) Se po të ishte Kosova shtet i kapur dhe i udhëhequr prej hajdutëve në dy dekadat e fundit, nuk do të kishte ndryshim demokratik të pushtetit, me zgjedhje e në mënyrë paqësore.

2) Kosova falë zhvillimit të dy dekadave të fundit është vend më demokratik se Serbia, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina e besa edhe se Shqipëria.

3) Se në këto dy dekada të fundit Kosova ka përparuar më shumë se kurrë dhe njerëzit e saj jetojnë sot më mirë se kurdoherë në historinë e tyre.

4) Se më meritorët për të gjitha të arriturat e Kosovës në dy dekadat e fundit janë, sidomos PDK dhe LDK, dhe partitë e tjera politike të Kosovës.

5) Kur e kupton se me atë që ai ka bërë kundër faktorit ndërkombëtar në Kosovë, e ka zgjatur jetën e tyre në vendin tonë dhe disa punë të tyre të këqija janë shtuar falë qasjes së tij përjashtuese.