Suedia nuk arriti të marrë më shumë se një barazim 2–2 në udhëtim kundër Sllovenisë, në një ndeshje ku dy herë kaloi në epërsi dhe dy herë e humbi atë.
Pas ndeshjes, vëmendja e madhe ishte te vendimet e përzgjedhësit Jon Dahl Tomasson, veçanërisht për zëvendësimet e tij dhe faktin se Alexander Isak nuk u aktivizua fare. Në konferencën për shtyp, Tomasson dha shpjegime duke theksuar se gjendja fizike e sulmuesit nuk lejonte rrezikime.
“Do të kisha dashur shumë ta fusja në lojë, si edhe të gjithë ne. Madje edhe tifozët e Sllovenisë do të kishin dëshiruar ta shihnin. Por pas vetëm tre stërvitjeve me ekipin dhe pa luajtur për tre muaj, rreziku ishte i madh. Nuk ka pasur një parasezon normal. Duhet të mendojmë së pari për personin Alexander”, tha trajneri, duke iu referuar edhe periudhës së vështirë që lojtari kaloi me transferimin e tij të madh nga Newcastle te Liverpool.
Një tjetër vendim i diskutuar ishte zëvendësimi i Anthony Elangës, i cili shënoi gol, por u largua nga loja pas pak më shumë se një ore. “U lodh, dhe në të njëjtën kohë Sllovenia po depërtonte lehtë në krahun tonë të djathtë”, tha Tomasson, duke sqaruar se hyrja e Benjamin Nygren solli freski dhe ndikoi drejtpërdrejt në golin e dytë.
Suedia humbi epërsinë 2–1 në minutën e fundit të ndeshjes, dhe i pyetur nëse do të kishte bërë ndonjë ndryshim tjetër, trajneri u përgjigj prerë: “Është e vështirë të heqësh një sulmues dhe të futësh një mbrojtës shtesë. Kjo do të na bënte pasivë në zonën tonë të rreptësisë, që nuk është cilësia jonë kryesore. Do të kishte qenë vendim i gabuar.”
Sa i përket ndeshjes së radhës kundër Kosovës, që do të luhet të hënën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Tomasson nuk dha garanci për ndryshime: “Është e vështirë të thuhet tani. Duhet të presim raportet nga stafi mjekësor. Lojtarët u lodhën shumë në fushë dhe duhet të shohim gjendjen e tyre.”
Kosova në anën tjetër vjen pas një humbjeje të thellë 4–0 ndaj Zvicrës në hapjen e kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026.