Pse njerëzit gjithnjë e më pak po lexojnë - Gazeta Express
string(41) "pse-njerezit-gjithnje-e-me-pak-po-lexojne"

Arte

Gazeta Express

23/09/2021 0:47

Pse njerëzit gjithnjë e më pak po lexojnë

Arte

Gazeta Express

23/09/2021 0:47

“Jemi të zënë në rutinën e tyre të përditshme”. Ky ndoshta mund të jetë justifikimi më i shpeshtë i përdorur, kur i pyesni se pse nuk lexojnë. Të gjithë jemi të zënë, ama secili nga ne e gjen 30 minuta kohë për të shfletuar një roman

Një nga gjërat që po bie më tepër në sy kohët e fundit, është shkëputja nga libri. Për këtë gjë mund të pyesësh librashitësit dhe të konfirmojnë rëniet e shitjeve, por edhe vetë të njohurit nëse janë duke lexuar diçka për momentin apo jo (me shumë mundësi përgjigja do të jetë negative). Por çfarë ka ndodhur me ne? Pse ka ardhur ky ndryshim radikal me kalimin e viteve?

Lexo Edhe:

“Jemi të zënë në rutinën e tyre të përditshme”. Ky ndoshta mund të jetë justifikimi më i shpeshtë i përdorur, kur i pyesni se pse nuk lexojnë. Të gjithë jemi të zënë, ama secili nga ne e gjen 30 minuta kohë për të shfletuar një roman. Në momentin që pimë kafe, në rastet kur dalim vetëm, mund ta shoqërojmë atë kafe me një libër në duar. Por nuk ka se si të ndodhë diçka e tillë, kur vendin e librit e kanë zënë thashethemet në facebook, instagram apo whatsapp. Teknologjia po na tjetërson. Sado të lexosh online (që edhe ky më duket një tjetër justifikim, pasi shumë pak romane mund të gjesh online), asgjë nuk ta jep kënaqësinë e shfletimit të një libri, të ndjesh aromën e faqeve të një romani, sidomos të atyre të vjetërve, klasikëve.

Ne ia kemi harruar vlerën librit, ndaj edhe përreth kemi kaq shumë persona që nuk dinë të shkruajnë shqip në mënyrë të saktë. Nuk po diskutojmë tani analiza fjalish apo fjalësh në sintaksë e morfologji, por të shkruajnë. Është realisht minimumi. Të shkojë një individ 18 vjeç dhe të dorëzojë një tezë mature ku në ese fjalën “diell” e shkruan “diedh”, është turp. Më shumë keq më vjen pikërisht për të rinjtë, pasi më të rriturit sado i kanë krijuar disa baza të forta fjalori dhe drejtshkrimi. Për të mos folur pastaj për të folurin në publik, në një ambient me të panjohur. Mezi flasin jo për arsye të natyrës introverte, pasi në shoqëri shpërthejnë, por sepse nuk dinë të artikulohen, nuk dinë si t’i formulojnë idetë dhe të shpalosin tek të tjerët vërtet të menduar logjik.

Ne kemi detyrë morale si qytetarë që të paktën brezin e ri ta nxisim të lexojë para se vërtet të jetë shumë vonë, para se vetë ne t’i vuajmë pasojat e një gabimi kaq të madh që po bëjmë. Ne duhet t’i bindim të rinjtë se libri është realisht thesar, se ai dhe vetëm ai mund t’i aftësojë në të shkruar dhe në të folur. E ardhmja sa vjen dhe bëhet më e vështirë, askush s’ka nevojë për persona të aftë profesionalisht. Nëse dikush nuk di të flasë në intervistë pune, e dimë tashmë se atë vend pune e ka të humbur, sado i shkëlqyer të jetë për atë pozicion.  Rrjetet sociale, kafet në lokal, lojërat në play station etj. janë të gjitha sekondare kur krahasohen me atë që realisht të pret në të ardhmen. Investimi duhet bërë mbi libra që edhe përfitimi të jetë maksimal.

Pavarësisht shkakut, teknologjisë, apo neglizhencës sonë, na pret një detyrë e vështirë për ta kthyer këtë brez në binarët e duhur dhe kam shpresën se mund t’ia arrijmë…