Lindim duke qarë, rritemi dhe shpeshherë mësojmë nga jeta përmes situatave që na bëjnë të qajmë.
Gazetare: Pranvera Osdautaj
Pavarësisht kësaj dhe pavarësisht avancimit shoqëror, jo rrallë hasim në fjalinë “burrat nuk qajnë”, pa u diskutuar aspekti njerëzor dhe emocional, mbi të gjitha, raporton emisioni #gjesi në T7.
Kjo dukuri, sipas Kadri Gashit, i cili ka 15 vjet që merret me trajtimin e këtyre temave, ka të bëjë me mentalitetin e një shoqërie patriarkale.
Nga meshkujt pritet të jenë të fortë emocionalisht dhe mbi të gjitha të përmbajtur. Sidoqoftë, nuk ka ndonjë ligj apo rregull të shkruar që thotë se “meshkujt nuk duhet të qajnë”, aq më tepër që të qarit, pos tjerash, cilësohet zbrazje emocionale.
Ndërsa në aspektin social, një shprehje e tillë si “Burrat nuk qajnë”, ka të bëjë me atë se si ne zhvillohemi në aspektin familjar.
Loti shumë shpesh është cilësuar dobësi, gjë e cila i ka vendosur meshkujt përballë një lufte të fortë emocionale. Kjo u ka pamundësuar atyre që të shprehin ndjenjat karshi një situate apo ndodhie të caktuar, qoftë në aspektin familjar ose edhe shoqëror.
Madje, kjo është një temë që Gashi vazhdimisht është munduar ta trajtojë me të dyja gjinitë në diskutimet e tij të hapura.
Pra, nevoja për të qarë është biologjike për të gjithë njerëzit, pa përjashtuar gjini.
Kështu, të qash nuk ka të bëjë me dobësi. Është njerëzore t’u dalësh zot ndjenjave dhe emocioneve të caktuara./GazetaExpress/