Pjesëmarrja e viktimave dhe të mbijetuarve në hartimin e politikave të drejtësisë tranzicionale nuk duhet të bëhet sa për sy e faqe. Pra pjesëmarrja nuk duhet të shfaqet vetëm në hartimin, por edhe para hartimit, draftit të parë, miratimit e deri të zbatimi i të gjitha masave përkatëse
Kushtrim Gashi
Qe nga përfundimi i luftës, ballafaqimi më të kaluarën dhe ndjekja e drejtësisë tranziconale ka qenë proces i paqëndrueshëm, të cilit i ka munguar një vizion strategjik, përfshirja e mirëfilltë e grupeve të prekura dhe qëndrueshmëria institucionale.
Kosova nuk ka arritur të hartojë ende një Strategji për Drejtësi tranzicionale mu për shkak të mungës së vullnetit politik dhe kontinuitetit të politikave qeveritare, si dhe dakordimit midis palëve të interesuara, kombëtare e ndërkombëtare.
Qe mbi dy dekada në vendin tonë autoritetet ndërkombëtare dhe kombëtare, si dhe shoqëria civile kanë ndjekur iniciativa vetjake të drejtësisë tranzicionale, pa ndonjë vizion dhe strategji.
Përderisa në Kosovë viktimat dhe të mbijetuarit vazhdojnë te kërkojnë drejtësi, kriminelet e luftës kandidojnë për zgjedhjet në Serbi. Jo vetëm kaq, por ish- Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç në një deklarim për media ishte nervozuar me disa qytetarë serbë që tregojnë se ku janë varrosur shqiptarët në të gjithë Serbinë.
“Lëreni ju amerikanët, gjermanët, turqit, çfarë të bëjmë ne me serbët? Që ju tregojnë shqiptarëve, kroatëve, e flasin lloj lloj budallallëqesh të ndryshme, e ju tregojnë se ku janë varrosur shqiptarët në gjithë Serbinë”, tha Daçiç. Edhe Presidenti i Serbisë në dhjetor të vitit 2019 theksoj se “krimi në Reçak është fabrikuar, ku gjithçka ka falsifikuar ai mashtruesi botëror, hajni dhe vagabondi William Walker”. Pra fshehja apo mohimi i krimeve gjatë luftës është fyerje ndaj viktimave e një gjë të tillë vazhdimisht po e bënë Serbia, e cila as nuk e njeh Kosovën si shtet, e as nuk ka kërkuar falje për krimet e bëra, e as nuk ka ofruar reparacione, e as nuk ka dhënë garanci formale për mospërsëritjen e krimeve të kaluara.
Njohja e të vërtetës dhe pranimi i saj janë thelbësore për të siguruar një ballafaqim të të kaluarës dhe për të ecur tutje. Ajo që më së shumti kanë nevojë viktimat është kërkimi i të vërtetës përmes gjetjes së përgjegjësisë, individuale, kolektive institucionale, por edhe komanduese, pra e drejta për të mësuar përfshinë të drejtën individuale dhe kolektive.
Krijimi i një narracioni zyrtar, rreth së cilës pajtohen të gjithë do të parandalonte klasën politike për të manipuluar ngjarjet nga e kaluara për realizimin e agjendave të tyre politike. E vërteta ua mundëson viktimave për të kërkuar çasje për të vendosur drejtësinë.
Për të arritur një vizion të përbashkët për drejtësinë tranzicionale duhet të promovohen këto elemente: përqendrimi të viktimat, e në veçanti viktimat e dhunës seksuale, fokusi të të mbijetuarit, depolitizimi dhe deetnetizimi i iniciativa për drejtësinë tranzicionale.
Se Kosova ka nevojë për hartimin e një Strategjie për Drejtësi Tranzicionale tashme është e qartë dhe e domosdoshme sepse strategjia ndihmon në krijimin e politikave të qëndrueshme institucionale.
Nevoja për hartimin e strategjisë për drejtësi tranzicionale vjen si domosdoshmëri që të shtrohet rruga e dialogut shoqërorë, e ndërtimit të paqes, si pjesë integrale e ndërtimit të shtetit dhe paqes. Prandaj duhet të përfshihet edhe në përpjekjet e akterve institucional dhe jo institucional, në qasje gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë ndaj drejtësisë tranzicionale, me synimin për të luftuar mosndëshkimin.
Nevoja për një Strategji gjithëpërfshirëse për drejtësinë tranzicionale për adresimin e së kaluarës, validitetin e të dhënave për dëmet njerëzore e materiale dhe reformën institucionale e shoqërore është përmendur edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën të vitit 2020.
Në rrjedhje të kësaj, Strategjia Shtetërore për Drejtësi Tranzicionale është paraparë edhe në programin e qeverisë së republikës së Kosovës 2021 – 2025. Është themeluar edhe Grupi Punues për hartimin e Strategjisë për Drejtësi Tranzicionale.
Padyshim që pjesë e Strategjisë do të duhej të jetë përveç të tjerash edhe propozimi për politika të reja institucionale që do të trajtonin krimet ekonomike, korrupsioni dhe plaçkitjen që ka bërë Serbia në Kosovë me dekada.
Kjo qasje ofron njohje dhe kompensim për viktimat, nxit mirëbesimin, fuqizon sundimin e së drejtës dhe kontribuon në pajtim dhe mospërsëritje.
Qëllimi i Strategjive për Drejtësi Tranzicionale është që të ndihmojë të korrigjojë padrejtësitë dhe të shërojë traumat e shkaktuara nga lufta. Përmes hartimit të strategjive gjithëpërfshirëse për drejtësinë tranzicionale arrihet krijimi i një platforme të qëndrueshme për të vendosur fakte për të kaluarën, duke siguruar kompensim për padrejtësitë dhe traumat e lidhura me luftën, mbrojtjen e kujtesës individuale dhe kolektive, reformimin dhe fitimin e besimit në institucione.
Hartimi i një Strategjie duhet të bëhet përmes një procesi të hapur dhe gjithëpërfshirës konsultimi që nga qytetarët, shoqëria civile e deri të institucionet nga të gjitha nivelet e qeverisjes.
Strategjia për Drejtësi Tranzicionale duhet të përfshijë katër shtyllat e drejtësisë tranzicionale të drejtën për tu informuar, e drejta për dëmshpërblim apo kompensim, garancitë e mos përsëritjes dhe reforma institucionale.
Çështja e hartimit dhe zbatimit të një Strategjie për Drejtësi Tranzicionale duhet tu përgjigjet nevojave shoqërore dhe pak vende kanë provuar qe t’i inkorporojnë nevojat e qytetarëve, komentet dhe opinionet e tyre në një strategji të tillë. Fushata shtetërore vetedijesuese për rendësinë dhe domosdoshmërinë e krijimit të një strategjie do të duhej të zhvilloheshin para hartimit të draftit të parë sepse OJQ-të jo gjithherë përfaqësojnë interesat e viktimave dhe të qytetarëve. Shembull tipik kemi përvojën e Liberisë, ku në vitin 2013 propozoi ‘Udhëzuesin Strategjik për Shërimin Kombëtar, Ndërtimin e Paqes dhe Pajtimin’ që u hartua nga ekspertë ndërkombëtar dhe shoqëria civile, por u anashkaluan viktimat dhe të mbijetuarit, gjë që dërgojë në rrënimin e mbështetjes nga qytetarët.
Prandaj, pjesëmarrja e viktimave dhe të mbijetuarve në hartimin e politikave të drejtësisë tranzicionale nuk duhet të bëhet sa për sy e faqe. Pra pjesëmarrja nuk duhet të shfaqet vetëm në hartimin, por edhe para hartimit, draftit të parë, miratimit e deri të zbatimi i të gjitha masave përkatëse.