Kotaro Toriumi, analist japonez i udhëtimeve, thotë se vetëm mendimi i procedurave të ndërlikuara të udhëtimit jashtë vendit për shkak të pandemisë dhe rrezikut të infeksionit i pengon njerëzit të bëjnë udhëtime jashtë shtetit.
Më tej, ai pretendon se pandemia ka ndryshuar “mendësinë japoneze”.
“Njerëzit që dikur udhëtonin, tani kanë frikë të shkojnë jashtë vendit për shkak të rrezikut të infeksionit, por janë mirë duke udhëtuar brenda vendit. Mendoj se po kuptojnë gjithnjë e më shumë se brenda Japonisë ka shumë pika tërheqëse turistike dhe njerëzit mund të argëtohen pa shkuar jashtë vendit”, thotë Toriumi.
Analisti vëren se njerëzit që thonë se “nuk duan të udhëtojnë më” thjesht mund të ngurrojnë të udhëtojnë derisa pandemia të përfundojë plotësisht.
Më pak para, më shumë probleme
Kostoja e udhëtimit është gjithashtu një pengesë.
Shumë punëtorë japonezë nuk kanë parë rritje page prej shumë kohësh ndërkohë që niveli i jetesës është rritur.
Më pak të ardhura të disponueshme do të thotë që të rinjtë mund të jenë më të prirur për të qëndruar në shtëpi ose për të eksploruar vendet afër.
“Krahasuar me gjeneratat e vjetra, të rinjtë kanë më pak gjasa të shkojnë jashtë vendit pasi nuk kanë shumë para. Për më tepër, shumë të rinjve u duket më e këndshme argëtimi në internet apo lojërat me telefona sesa udhëtimi jashtë vendit”, shpjegoi Toriumi.
Sipas të dhënave më të fundit nga Organizata Kombëtare e Turizmit të Japonisë, numri i udhëtarëve japonezë jashtë shtetit u ul me 86.2% në vitin 2022, me rreth 2.7 milionë njerëz krahasuar me shifrën 20 milionë në 2019.
“Ata që dikur shkonin vetëm sepse ishte e lirë ose nuk u pëlqen aq shumë të udhëtojnë, ata nuk po udhëtojnë më tani”, thotë Toriumi.