Pse jemi nostaligjikë - Gazeta Express

OP/ED

Gazeta Express

17/03/2021 15:15

Pse jemi nostaligjikë

OP/ED

Gazeta Express

17/03/2021 15:15

Fjala “nostalgji”, kombinon 2 koncepte dhe 2 fjalë greke: kthimi (νόστος) dhe dhimbja (άλγος). Kështu, ne na shkon menjëherë mendja tek Odisea, dhe protagonisti i saj që pikëllohet dhe qan për Itakën, edhe kur është në shoqërinë e Kalipsosë së bukur

Nga Annamaria Testa

“Nostalgjia është delikate por e fuqishme”, thotë Don Drejpër në një nga skenat më mbresëlënëse të serisë së paharrueshme të “Mad men”. Dhe shton:”Ajo është një dëshirë e zjarrtë e zemrës, shumë më e fortë se sa kujtesa … dhe na çon në një vend ku duam të rikthehemi”.

Natyrisht Drejpër e përdor nostalgjinë për t’i gjetur një emër një mjeti të ri për kohën. Por ajo është pjesë e personazhit. Ndërsa nostalgjia është në vetvete figura shprehëse e të gjithë serialit. Ajo mbulon rrobat, mjediset, ngjyrat, gjestet dhe historitë. Dhe e drejton vështrimin dhe emocionet tek ne spektatorët.

Fjala “nostalgji”, kombinon 2 koncepte dhe 2 fjalë greke: kthimi (νόστος) dhe dhimbja (άλγος). Kështu, ne na shkon menjëherë mendja tek Odisea, dhe protagonisti i saj që pikëllohet dhe qan për Itakën, edhe kur është në shoqërinë e Kalipsosë së bukur.

Mërguar nëpër kohë

Gjithsesi, edhe nëse emocioni është i lashtë, termi specifik që e përshkruan atë është i kohëve të fundit. Ai është shpikur në fund të viteve 1600 nga studenti i mjekësisë nga Alsa, Johanes Hofer. Ai ishte i pari që përshkoi gjendjen specifike emocionale të ndjerë nga mercenarët zviceranë që ishin larguar nga malet e tyre, për të qenë në shërbim të mbretit francez Luigji XIV.

Sindroma për të cilën flet Hofer përfshin zbehjen, ethet e forta, dhimbjet e stomakut dhe vdekjen. Ndër trajtimet e sugjeruara:opiumi dhe shushunjat. Pra, mund të mendohet se nostalgjia është një emocion që prek vetëm të mërguarit. Se ajo është në thelb një ndjenjë negative dhe patologjike (tek e fundit mercenarët vdiqën). Dhe se duhet të shpresojmë që mos ta provojmë kurrë atë.

Në fakt, asgjë nga këto nuk është e vërtetë.E para, koncepti i nostalgjisë, duke filluar nga shekulli XIX me periudhën e romantizmi, humbi çdo lloj kuptimi mjekësor dhe evoluoi për të përshkruar bashkimin specifik të dëshirës dhe keqardhjes, që buron nga largësia fizike nga shtëpia.

Në thelb, nostalgjia për ne sot ka të bëjë me gjithçka që është e largët, madje edhe në kohë. Dhe se ajo ka qenë aq e rëndësishme, sa që u bë themeli i identitetit tonë dhe ndjenjës sonë të përkatësisë në një komunitet, dhe jo vetëm në një vend.

Mbi të gjitha, në raport me të shkuarën secili prej nesh është i mërguar. Nga përvojat që ka pasur, njerëzit që ka takuar, pasionet me të cilat jetoi. Pra po flasim për një emocion shumë të fortë, të pa ngatërrueshëm dhe universal. Pikërisht për këtë arsye, nostalgjia mund të ketë kuptime dhe nuanca të panumërta.

Prandaj ajo mund të jetë e tillë, që të nxisë një sasi mbresëlënëse shkrimesh poetike dhe në prozë, prodhime kinematografike, televizion dhe muzikë. Vetëm sa për të kujtuar disa:jo vetëm “Amarcord”-in e famshëm të Felinit, dhe “Nostalgjia”e Andrei Tarkovskit, por edhe “Kinemaja Parajsa e Re”, “Zanafilla”, “La la land”, “Mirupafshim Lenin” etj. Unë jam i sigurt se dhjetra tituj të tjerë mund t’ju vijnë në mendje. Dhe e njëjta gjë vlen për këngët

apo për romanet.

Efektet pozitive

Dhe këtu vijmë tek pika e dytë e rëndësishme. Nostalgjia e hidhur dhe e dykuptimtë është kaq popullore, pasi përjetimi i saj duket se sjell një seri efektesh pozitive. Kjo vërtetohet nga shumë studime. Dhe kjo mund të duket në pamje të parë e çuditshme, pasi jemi duke folur për një gjendje emocionale që nuk është kategorizuar as tek gjashtë (shtatë ose tetë, sipas autorëve të ndryshëm) emocionet kryesore.

Dhe që duke qenë e hidhur (ose nëse preferoni e ëmbël), ka një përbërës të dykuptimësisë.

E megjithatë nostalgjia nxit motivimin e brendshëm, jep energji, stimulon frymëzim, dikton rritjen personale, dhe shton prirjen për të ndihmuar të tjerët. Kjo është vërtetuar nga një hulumtim britanik në vitin 2019.

Nostalgjia është edhe një burim për shëndetin dhe mirëqenien psikologjike. Ajo i jep kuptim jetës. Ajo e kundërshton ndjenjën e vetmisë dhe “rindërton ndjenjën e të qenit i lidhur me të tjerët, e cila është jetike për një gjendje psikologjike optimale”. Ajo përmirëson perspektivën për një plakje të suksesshme.

E gjithë kjo dëshmohet nga një meta-analizë (një analizë krahasuese e rezultateve të shumë studimeve të mëparshme) e kryer në vitin 2013 nga Universitetet e Southemptonit dhe Dakotës së Veriut. Së fundmi, nostalgjia përmirëson vetëvlerësimin, dhe i ndihmon njerëzit të ndjehen më mirë me veten e tyre.

Në përgjithësi, ajo ka një funksion pajtues. Dhe lidhet me të mësuarit dhe konsolidimin e kujtesës. Duke pasur këtë gjë në mendje, nuk është për t’u habitur pse revista “Forbes” këshillon:“Përdorni nostalgjinë, për të përmirësuar rezultatet e biznesit tuaj!”.

Dhe kjo gjë na fton që ti referohemi “kohëve të mira të vjetra”, dhe shijes së hidhur të nostalgjisë, për të “aromatizuar” çdo ofertë tregtare, duke e përfshirë publikun në një nivel emocional, dhe duke evokuar ndjenjat e “sigurisë, rehati dhe besimit”.

Meqë ra fjala:Harvard Business Review e rendit nostalgjinë si një nga 30 gjërat që u pëlqen vërtet konsumatorëve. Duke folur për pandeminë:”Nostalgjia forcon aftësinë për t’u qetësuar gjatë një periudhe stresi”- shkruan “The New Times”, duke cituar psikologen Valentina Stojçeva, e cila shton:”Nostalgjia funksionon si një lloj biberoni emocional!”.

Duke iu referuar atyre që përmenda më lart, është e lehtë të kuptohet arsyeja pse kohët e fundit edhe konsumi i argëtimit, ka pësuar një devijim të rëndë nostalgjik. Sipas një hulumtimi të fundit nga “Nielsen Music”, midis muzikës dhe televizionit “mbi gjysma e përdoruesve kanë kërkuar komoditet tek përmbajtja nostalgjike dhe anëtarët e familjes”.

Pra, nëse edhe juve ju qëllon të dëshironi filma dhe këngë të vjetra, apo të rilexoni librat e adoleshencës tuaj, apo të kërkoni histori që flasin për atë periudhë, mos u shqetësoni:jeni duke zbatuar një strategji efektive të vetë-ndihmës. Dhe më e rëndësishmja, jeni në shoqëri të shkëlqyer. / “Internazionale” – Bota.al