India ka nisur sonte një operacion ushtarak ndaj Pakistanit. Sulmet e Indisë ndaj Pakistanit vijnë si hakmarrje ndaj një sulmi militant që vrau të paktën 26 persona, kryesisht turistë, në qytetin turistik piktoresk të Pahalgam në Kashmirin e administruar nga India më 22 prill.
Militantët hapën zjarr ndaj njerëzve që po vizitonin Baisaran, një livadh në majë të malit, tre milje (5 km) nga Pahalgam.
Siç raporton BBC, disa të mbijetuar të sulmit kishin dekalruar se burrat hindu ishin target specifik i personave të armatosur
Pakistani ka mohuar përfshirjen në sulme, por policia indiane thotë se dy nga katër militantët që dyshohen për sulmin ishin shtetas pakistanezë.
Si India ashtu edhe Pakistani kanë njoftuar një sërë masash hakmarrëse kundër njëra-tjetrës, duke përfshirë mbylljen e kufijve dhe pezullimin e një traktati për ndarjen e ujit të lumenjve. Trupat nga të dyja palët kanë shkëmbyer gjithashtu zjarr me armë të lehta.
Kryeministri indian, Narendra Modi kishte thënë më parë se vendi do t’i ndjekë autorët e sulmeve “deri në skajet e Tokës”.
Ushtria pakistaneze ka thënë se së paku tre persona kanë mbetur të vrarë dhe 12 të tjerë janë plagosur, si pasojë e sulmeve ajrore të Indisë në territorin pakistanez.
Sipas zëdhënësit të ushtrisë pakistaneze, Ahmed Sharif Chaudhry, në mesin e të vrarëve është edhe një fëmijë.
Ai tha se dy civilë u vranë në zonën Kotli, një fëmijë u vra në Ahmedpur East, në Pakistanin jugor, si dhe 12 persona të tjerë janë plagosur.
Pakistani është zotuar se do t’i kundërpërgjigjet sulmit ushtarak.
India ka thënë se ka shënjestruar nëntë zona.
“Këta hapa vinë pas sulmit terrorist barbar në Pahalgam ku 25 indianë dhe një shtetas i Nepalit u vranë”, thuhet në deklaratën e Ministrisë indiane të Mbrojtjes, referuar një sulmi muajin e kaluar në Kashmir.