Pse i druajmë dialogut me Serbinë? - Gazeta Express
string(33) "pse-i-druajme-dialogut-me-serbine"

Pse i druajmë dialogut me Serbinë?

Gazeta Express

07/05/2020 16:32

Ka vite që e kemi humbur atë fillin e urtisë dhe pragmatizmit politik, pa të cilin, kurrë nuk do të dilnim fitues në atë ballafaqimin e madh për jetë a vdekje me Serbinë.

Shkruan: Blerim Shala

Lexo Edhe:

Bleje më atë llotari.

E dimë të gjithë këtë rrëfimin anekdotik për shqiptarin, amerikanin, hebreun a gjermanin  (nacionaliteti ndryshon natyrisht në varësi nga atij që e kallëzon atë), i cili për çdo ditë i ankohej Zotit që nuk po ka fat fare dhe që meriton që jeta e tij të ndryshojë me themel, për të mirë.

Vjen dita kur Zotit i mërziten ankesat e tij, dhe i thotë troç: Ani mirë, do të ndihmoj, por shko blejë llotarinë.

Bën diçka pra. Lëviz pak. Mos rri kot.

Duket që ky rrëfim po i ri më së miri, apo është përshkrimi më i sakt i mundshëm i raportit të politikës kosovare ndaj sprovës së finales së dialogut në mes të autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Këtu, natyrisht, mund t’i listojmë një mori shqetësimesh, të të gjithë neve, pastaj, edhe mund t’i shfaqim, edhe më lehtë, frustrimet tona që 21 vjet pas përfundimit të luftës, 12 vjet pas shpalljes së pavarësisë, ende nuk ka marrë formën përfundimtare kontesti i jonë i gjatë, i rëndë dhe tragjik historik dhe politik me Serbinë, i cili ka nisë me luftë dhe okupimin e Kosovës  (nga Serbia), në vitin 1912, dhe është dashtë të merr fund me luftë dhe me çlirimin e Kosovës  (nga Serbia), në vitin 1999.

Por ja që politika mirret me një gjendje apo situatë çfarë është në realitet, duke u munduar ta ndryshojë ate në një gjendje a një situatë të re, në realitetin çfarë do të duhej të ishte.

Kosova dhe Serbia janë dy shtete të pavarura, dhe ky është momenti kyç i fazës konkluduese të bisedimeve të cilat objektivisht, kanë nisur para 22 viteve, në pranverën e vitit 1998, me Takimin në mes të Delegacionit të Kosovës dhe Delegacionit të Serbisë, të mbajtur në selinë e LDK-së në Prishtinë.

Nuk mund të ketë edhe 22 vjet të tjera bisedime në mes të instancave më të larta të Prishtinës dhe Beogradit, kur ka mbetë, realisht, ai kilometri i fundit i një maratoni politik të negociatave dhe bisedimeve, dhe kur më nuk ka kush ku të kthehet prapa, dhe kur koha nuk punon as në favorin e Kosovës dhe as në atë të Serbisë.

Të gjitha arsyetimet dhe justifikimet e mundshme, të cilat janë përdorë me shumicë dhe me pakicë  (në atë tregtinë klasike ballkanike), për të mos u kthyer në tavolinën e bisedimeve, ka kohë që janë me afat të skaduar të përdorimit.

Tek ne, në politikën kosovare, vazhdimi i bisedimeve me Serbinë, është shndërruar në një farë gogoli politik, apo, edhe në një letër shtesë kinse me vlerë në qërimin e vazhdueshëm të hesapeve midis liderëve dhe partive politike, që në instancë të fundit, na sjell të gjithë neve para gjendjes së bankrotit politik në raportin me SHBA-të dhe me Evropën.

Ta merr mendja që nuk jemi çliruar qëmoti, që nuk jemi bërë shtet ka vjet të tëra, që nuk kemi fituar edhe betejën legale ndërkombëtare, në ICJ  (në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, në korrikun e vitit 2010), apo, që nuk jemi në gjendje t’i shkojmë deri në fund kësaj ndërmarrjeje bilaterale dhe ndërkombëtare në këtë dialog.

E tëra ka mundur të duket fillimisht një ekzagjerim, apo, një situatë momentale që do të tejkalohet, por sa më shumë po kalon koha, po kuptohet gjithnjë e më shumë që tek shumëkush në Kosovë, në nivelet qeveritare dhe opozitare, ka frikë se çka mund të sjellë ky kapitulli final i dialogut, thuajse ne nuk e kemi në dorë këtë dialog, dhe thuajse dikush  (apo kushdoqoftë), mund të na imponojë një solucion për Marrëveshjen gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve, i cili objektivisht, do të ishte i papranueshëm për ne.

Delegacioneve të Kosovës as në Konferencën paqësore të Rambouilletit  (shkurt, mars, 1999), dhe as në Procesin e Vienës  (2005-2007), nuk i janë imponuar Marrëveshjet.

Zgjedhja finale ka qenë e këtyre Delegacioneve. Dhe kjo zgjedhje ka qenë shumë e mirë, sepse ka mundësuar çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.

Sidooqftë, këta që qyshdoqoftë i druajnë vazhdimit të këtyre bisedimeve, teksa në 17 muajtë e fundit, Washingtoni zyrtar si asnjëherë më parë bëri të qartë që elementi kyç i Marrëveshjes duhet të jetë njohja reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë, mendojnë që më mirë është të mos shkohet fare në dialog, ose, me gjasë, që njohja nga Serbia do të duhet të na vijë me postën DHL, apo edhe përmes Ambasadave të SHBA-së në Beograd dhe në Prishtinë. Ka vite që ne e kemi humbur atë fillin e urtisë, mençurisë dhe pragmatizmit politik, pa të cilin, të mos mashtrohemi, kurrë nuk do të dilnim fitues në atë ballafaqimin e madh për jetë a vdekje me Serbinë.

Gatishmëria për tu sakrifikuar me të gjitha, për të luftuar deri në fund, për të dhënë gjithçka për lirinë e Kosovës, të gjitha këto kanë bërë muret e asaj ’ndërtese’ të çlirimit të Kosovës.

Por, realisht, në themelet e çlirimit të Kosovës është ajo urtia politike dhe pragmatizmi politik, që ka bërë që ne gjithmonë të jemi në anën e drejtë të historisë dhe të politikës ndërkombëtare në vitet e nëntëdhjeta  (dhe që Serbia të jetë në anën e gabuar), kur pushteti i Serbisë ia patë mësyer për t’i zhbërë shqiptarët në Kosovë.

Në momentin kur të qartësohen rrethanat e brendshme politike në Kosovë  (për shkaqe të njohura për të gjithë), autoritetet e Kosovës do të duhet më në fund të shfaqen të gatshme për të hyrë në fazën finale të bisedimeve me autoritetet e Serbisë, me synim të qartë që njohja reciproke në mes të dy shteteve të jetë çelësi i Marrëveshjes.