Pse duhen rregullat në një shoqëri civile - Gazeta Express
string(41) "pse-duhen-rregullat-ne-nje-shoqeri-civile"

Pse duhen rregullat në një shoqëri civile

Gazeta Express

07/02/2020 15:40

Shteti i së drejtës nuk ndërtohet kur pritet vetëm prej popullit të respektojë ligjet, por kur politikanët nuk shkelin ligjet, që i kanë aprovuar vetë. Në shtetet fisnore, paria e klaneve nuk respekton ligjin, sepse ndihet e poshtëruar dhe vlera e politikanit është e madhe, vetëm kur ai të jenë mbi ligjin, prandaj në shtetet tribale, ligjet shkelen kryesisht nga politikanët

Lis Bukuroca

Lexo Edhe:

Na ishte njëherë e në një kohë një kompleks i përbërë prej shtatë instrumentesh muzikore: një piano, një violinë, një kitarë klasike, një flaut, një saksofon, një trumbetë dhe një daulle. Instrumentet jetonin në të njëjtën dhomë, por nuk shkonin mirë në mes vete.

Çdonjëri prej tyre ndihej shumë krenar dhe secili mendonte për veten, se ishte mbreti i instrumenteve dhe se nuk kishte nevojë për të tjerët. Jo vetëm kaq, por çdonjëri donte të luajë melodinë, që e kishte për zemër dhe asnjëri nuk pranonte të përcillte notat në pentagram. Të gjithë besonin se notat ishin një imponim i patolerueshëm, që shkelte lirinë e tyre të artit.

Kur ata zgjoheshin në mëngjes, çdonjëri niste të luante melodinë e vet lirshëm dhe për t’u treguar sipëror ndaj të tjerëve, përdorte tonet më të zëshme dhe më të dhunshme. Rezultati: Një ferr i gumëzhimave kaotike.

Një natë daullja e nervozuar nuk ia doli të mbyllte sy. Për të kaluar kohën, filloi të godasë e shfrenuar. Kjo ishte pika e ujit që shkaktoi derdhjen e gotës. Për herë të parë, të gjitha veglat ranë dakord për një gjë: vendimin për të vepruar secila në mënyrën e vet dhe për llogari të veten.

Sapo u bënë gati për të dalë një shkop (dirigjenti) trokiti në derë me një pentagram dhe shprehu dëshirën për t’i dirigjuar. Duke u folur me dashamirësi dhe butësi, u kërkoi atyre të bënin një përvojë të re, atë të lojës së secilit sipas natyrës së vet, por me shënime, ritme dhe kohëra të harmonizuara.

Pjesërisht për shkak se ishin lodhur shumë nga kaosi në të cilin ata jetonin, pjesërisht për shkak të kureshtjes për të bërë një përvojë të re, ata pranuan.

“Pasi të jap lejen për t’ia nisur, me njërin sy shikoni partiturën, me tjetrin shenjat e mia”, tha shkopi.

Instrumentet filluan të luanin me pasion, duke u përpjekur të jenë sa më të mirë dhe duke pranuar në tërësi rregullat e shkopit magjik. Ndërsa vazhdonin, ata dëgjonin njëri-tjetrin me shumë kënaqësi. Kur shkopi dha shenjën e mbarimit, shpirtrat e tyre përshkoi një lumturi e jashtëzakonshme: ata kishin ekzekutuar simfoninë e nëntë të Beethovenit himnin e famshëm të gëzimit.

Nga italishtja Lis Bukuroca

Çfarë na mëson kjo histori?

Njeriu është qenie sociale dhe jeton në një grup të vogël apo të madh. Për të jetuar të gjithë në paqe, duhet të respektojnë ca parime, rregulla, që ne sot i quajmë norma dhe ligje.

Sjellja duke shpërfillur të tjerët, krijon kaos dhe prish harmoninë dhe lumturinë në mes njerëzve në familje, apo në një komunitet më të madh, rrjedhimisht në një shoqëri.

Zgjidhja është shumë e lehtë: Rregullat që i dëshirojmë te të tjerët, duhet t’i respektojmë vetë. Instrumentet me shkopin, arritën të luajnë Beethovenin, pa shkopin, ata bënin vetëm zhurmë apo përzierje të zhurmave të ndryshme. Duke respektuar notat, u luajt himni i Beethovenit mbi gëzimin, duke respektuar ligjet, ndërtohet shteti i së drejtës. Shteti modern.

Shteti i së drejtës nuk ndërtohet kur pritet vetëm prej popullit të respektojë ligjet, por kur politikanët nuk shkelin ligjet, që i kanë aprovuar vetë. Në shtetet fisnore, paria e klaneve nuk respekton ligjin, sepse ndihet e poshtëruar dhe vlera e politikanit është e madhe, vetëm kur ai të jenë mbi ligjin, prandaj në shtetet tribale, ligjet shkelen kryesisht nga politikanët.

Populli gjendet larg grazhdit ku hanë politikanët dhe ku tjerrin interesat e tyre. Ai vështron si masë amorfe dhe pret një kryeplak tjetër fisi që do të pengonte vjedhjen. Ai nuk alarmohet kur vidhet shteti, sepse shtetin nuk e përjeton si të vetin, por si të huajin, i cili i redukton lirinë për ta jetuar jetën fisnore pa ligje. Vetëm me norma sociale!

Gati 100 instrumente të Ramushit u dëbuan nga koncerti. Nuk i duheshin askujt. Punësuan veglat e tyre, arritën qëllimet dhe duke shpresuar se kishin rritur imazhin për të dyfishuar votat, krijuan kushtet për zgjedhje, por, llogaria qe bërë pa hanxhiun.

Shkopi magjik është Albin Kurti. Nëse vetëpërmbahet tutje dhe mbetet shëmbëlltyra e koncertit, do të arrijë ndërtimin e shtetit ligjor. Nëse jo, si gjithmonë, shembja e shtetit do të nisë në Qeveri. Dështimi i kësaj Qeveri, do t’ishte dëm katastrofal për ardhmërinë dhe numrin e popullsisë brenda.

Nuk do ta ketë lehtë sepse si opozitë ka ata që qëndruan mbi ligjin dhe që nuk njihnin, e as nuk kuptonin administrimin institucional, por vetëm improvizimin.