Ekspertët paralajmërojnë se shumë burra rrezikojnë infeksione të dhimbshme për shkak të neglizhimit të një zakoni të thjeshtë higjienik: tharjes pas urinimit.
Debati është bërë viral në rrjetet sociale, ku disa influencues kanë ngritur pyetjen nëse burrat duhet të përdorin letër higjienike pas urinimit. Sipas sondazheve, më shumë se një e treta e burrave pranojnë se nuk fshihen fare.
Mjekët thonë se kjo praktikë nuk është vetëm çështje higjiene, por edhe shëndeti.
Çfarë rekomandojnë ekspertët?
Specialistët sugjerojnë një rutinë të thjeshtë:
tërheqja e lafshës (nëse është e pranishme) gjatë urinimit
zbrazja e plotë e fshikëzës
shtrydhja e lehtë e penisit për të nxjerrë urinën e mbetur
tharja me letër higjienike të thatë
Ata paralajmërojnë të shmangen pecetat e lagura, pasi mund të përmbajnë kimikate që irritojnë lëkurën e ndjeshme.
Çfarë ndodh nëse nuk bëhet kjo?
Mos-tharja pas urinimit mund të krijojë një mjedis të lagësht dhe të ngrohtë, ideal për zhvillimin e baktereve dhe kërpudhave.
Kjo mund të çojë në probleme si:
balaniti (inflamacion i kokës së penisit)
infeksione kërpudhore
dhimbje gjatë urinimit
ngushtim i lafshës
në raste të rralla, edhe rritje të rrezikut për kancer
Balaniti është një nga problemet më të zakonshme dhe prek më shpesh burrat e parrethprerë.
Rreziku nga rrjedhja pas urinimit
Shumë burra përjetojnë rrjedhje të vogël të urinës pas përfundimit (e njohur si “dribbling”), sidomos pas moshës 50 vjeç. Kjo mund të ndodhë për shkak të dobësimit të muskujve të legenit ose teknikës së gabuar.
Ekspertët theksojnë se sistemi urinar mashkullor nuk “mbyllet” menjëherë, ndaj një sasi e vogël urine shpesh mbetet.
Pasojat afatgjata
Nëse nuk trajtohen, infeksionet si balaniti mund të zhvillohen në gjendje kronike, si lichen sclerosus – një sëmundje e rrallë, por serioze që shkakton kruarje, dhimbje, çarje të lëkurës dhe probleme me urinimin.
Një hap i thjeshtë si tharja pas urinimit mund të ulë ndjeshëm rrezikun e infeksioneve dhe problemeve të tjera.
Ekspertët theksojnë se kjo është një praktikë bazë higjiene që shumë burra nuk e kanë mësuar kurrë – por që mund të bëjë një ndryshim të madh për shëndetin afatgjatë. /GazetaEsxpress/