Si dhe pse u vendos që pikërisht Gani Jakupi të zgjedhet si ekspert për diplomaci publike dhe kulturore, me pagesë 90 mijë euro në vit? E kujt ishte ideja që të paguhet kaq majmë një artist, mbështetës publik i Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes? Si u bë që gjithë procesi i përzgjedhjes së tij të kryhet brenda pak ditësh? Donika Gërvalla do të duhej të përgjigjej në këto pyetje dhe të tjera si këto.
Imer Mushkolaj
“Modeste” e cilësoi ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, pagesën prej 7500 eurosh në muaj për ekspertin / konsulentin Gani Jakupi, i cili do të merret me diplomaci publike dhe kulturore në disa shtete të Bashkimit Europian. “Unë jam e lumtur që zoti Gani Jakupi si shumë profesionistë të tjerë, anembanë botës asnjëherë nuk i kanë shkëputur lidhjet e tyre me Kosovën. Më lejoni të përmend Dua Lipën, Rita Orën, ato nuk kanë nevojë të profilizohen përmes Republikës së Kosovës, por të na ndihmojnë që ne të gjejmë kujdesin dhe vendin e merituar në botë. Prandaj, Gani Jakupi në kuadër të një kontrate e cila bazohet tërësisht në legjislacionin vendas, që është instrument i përdorur në mënyrë të vazhdueshme për të arritur disa objektiva që s’mund t’i arrijmë në rrugë formale, zyrtare diplomatike”, iu tha Gërvalla gazetarëve.
Gani Jakupi është i njohur në fushën e romanit grafik, stripit, muzikës xhaz dhe gazetarisë. Ka jetuar në Francë, kurse tash jeton në Spanjë. Sipas kontratës së publikuar nga Periskopi, Jakupi e ka për detyrë që, Ambasadës së Kosovës në Bruksel t’i ofrojë konsulencë, këshillim dhe aktivitete me qëllim të “krijimit, zhvillimit dhe përforcimit të imazhit kulturor e mediatik të Republikës së Kosovës me fokus të veçantë në shtetet e Beneluksit” dhe në raste të veçanta edhe në shtete të tjera. Sipas kontratës, këto shërbime “do të kenë për qëllim që të kenë ndikimin e tyre tek gazetarët dhe figurat mediatike, krijuesit e opinionit publik, menaxherët e institucioneve dhe fondacioneve kulturore, drejtuesit e festivaleve, drejtuesit e galerive të artit dhe artistët me prezencë mediatike”.
Përveç 7500 eurove në muaj, ambasada merr përsipër që Jakupit t’ia paguajë edhe shpenzimet e udhëtimeve dhe hoteleve që lidhen me ofrimin e shërbimeve.
Për ta gjetur një konsulent, Ministria e Jashtme kishte hapur ofertë më 13 qershor 2023. Dy ditë më vonë, një komision ishte mbledhur për ta përfunduar procesin e vlerësimit. Katër ditë më vonë, më 19 qershor, ministria ia kishte deleguar kompetencat për këtë proces ambasadorit të Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami. Të nesërmen, më 20 qershor, ai kishte lidhur kontratë me Jakupin.
* * *
Për mua Gani Jakupi nuk është emër i panjohur, as pa vepra dhe vlera. Nuk e kontestoj se mund të kryejë edhe “punë konsulenti dhe ekspertize” në fushat e përcaktuara sipas kontratës me institucionet e Kosovës. Për mua problematike dhe të dyshimta mbeten të tjera çështje: si dhe pse u vendos që pikërisht Jakupi të zgjedhet për t’u paguar 90 mijë euro në vit? E kujt ishte ideja që të paguhet kaq majmë një artist, mbështetës publik i Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes? Si u bë që gjithë procesi i përzgjedhjes së tij të kryhet brenda pak ditësh dhe kush e si vlerëosi se pikërisht ai qenka personi i duhur për t’u marrë me diplomaci publike dhe kulturore në Bruksel, Luksemburg, Hagë, Amsterdam e Paris?
Secili e di që diplomacia publike e kulturore kushton, por kush dhe si vlerësoi se pikërisht Jakupi qenka personi i duhur që mund të arrijë sukses në këto fusha? Për më tepër, pse ministria e udhëheqhur nga Donika Gërvalla nuk ofroi qasje në dokumente publike për këtë kontratë dhe kontrata të tjera, që dyshohet të jenë nënshkruar edhe me persona të tjerë? Pse këto kontrata po i mbahen fshehtë publikut?
Këto dhe të tjera dilema do të duhet t’i sqarojë Gërvalla, në vend që të përpiqet të arsyetojë “pagesën modeste” për Jakupin. Pagesa e tij mujore është disa herë më e madhe se e ambasadorëve kosovarë. Ministrja Gërvalla tha se Jakupi nuk i ka asnjë borxh këtij vendi. Përmendi dëshirën e tij, vullnetin për të ndihmuar dhe dashurinë për Kosovën. Por, Gërvalla iu ka borxh qytetarëve t’ua sqarojë dilemat për Jakupin. Edhe pagesën marramendëse.
Në një organizim të veçantë, Fondacioni “UBT Jim Xhema” ka ndarë bursa për studentët më të dalluar të UBT-së. Ky...