Partia Socialiste ka mbajtur sot një mbledhje të grupit parlamentar, vetëm pak ditë pas betimit të deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë. I pranishëm në mbledhje ishte edhe Kryeministri Edi Rama, i cili e udhëhoqi diskutimin për ndryshimin e rregullores së Kuvendit dhe riorganizimin e komisioneve parlamentare.
Një nga pikat kryesore të diskutimit ishte përgatitja e seancave plenare të javës, ndërsa u bë e ditur edhe ndarja e komisioneve dhe emrat që do t’i drejtojnë ato në legjislaturën e re.
Për komisionet parlamentare u konfirmuan disa figura kyçe të Partisë Socialiste. Damian Gjiknuri do të drejtojë Komisionin e Reformës Zgjedhore, ndërsa Blendi Klosi do të marrë drejtimin e Komisionit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Zhvillimit Rural. Milva Ekonomi do të udhëheqë Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, ndërsa Bledi Çuçi do të drejtojë Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes.
Disa ish-ministra gjithashtu janë emëruar për të udhëhequr komisione të rëndësishme. Anila Denaj do të drejtojë Komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, ndërsa Ulsi Manja do të drejtojë Komisionin e Çështjeve Ligjore dhe Administratës Publike. Igli Hasani, ish-ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, do të udhëheqë Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme.
Përveç komisioneve të përhershme, është krijuar një komision i ri parlamentar për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, i cili do të drejtohet nga Fatmir Xhafaj. Gjithashtu, Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore do të udhëhiqet nga Damian Gjiknuri, ndërsa Komisioni i Posaçëm për Reformën Administrative dhe Territoriale do të drejtohet nga Arbian Mazniku.