Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend kërkesat për ngritjen e dy komisioneve të posaçme parlamentare, që do të merren me dy nga proceset më të rëndësishme politike të momentit: reformën territoriale-administrative dhe reformën zgjedhore.
Nismat, të paralajmëruara më herët nga kryeministri Edi Rama gjatë Asamblesë Kombëtare të PS-së, shënojnë nisjen e një procesi që pritet të ndikojë drejtpërdrejt në organizimin e pushtetit vendor dhe në mënyrën se si zhvillohen zgjedhjet në vend.
Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, konfirmoi depozitimin e kërkesave dhe theksoi se socialistët janë të gatshëm për dialog të hapur me opozitën. “Nuk do të hyjmë ende në detaje për përmbajtjen e reformës territoriale, por është e rëndësishme që opozita të bëhet pjesë aktive e të dy komisioneve”, deklaroi Balla.