Policia britanike ka arrestuar katër persona nën dyshimin se kanë projektuar imazhe të abuzuesit seksual të ndjerë Jeffrey Epstein krah presidentit amerikan Donald Trump në muret e Kështjellës Windsor, raporton BBC.
Pamjet u shfaqën të martën mbrëma kur Trump zbriti në Londër për një vizitë zyrtare.
“Ne e marrim jashtëzakonisht seriozisht çdo aktivitet të paautorizuar rreth Kështjellës Windsor”, tha në një deklaratë Shefja e Policisë së Thames Valley, Felicity Parker.
Kështjella Windsor është vendi ku Mbreti Charles do ta presë presidentin amerikan dhe zonjën e parë Melania Trump.
Më herët këtë muaj, një panel kongresional amerikan publikoi një libër ditëlindjeje të përgatitur për Epstein në vitin 2003 – me një nga hyrjet që mbante një nënshkrim që ngjante me atë të Donald Trumpit. Presidenti amerikan – i cili nuk akuzohet për ndonjë shkelje ligjore në lidhje me çështjen e Epsteinit – ka mohuar se e ka shkruar atë hyrje.