Provokim në Bujanoc: Emri i Ratko Mladiçit shfaqet në qendër të qytetit - Gazeta Express
string(70) "provokim-ne-bujanoc-emri-i-ratko-mladicit-shfaqet-ne-qender-te-qytetit"

Lajme

Gazeta Express

08/09/2025 6:56

Provokim në Bujanoc: Emri i Ratko Mladiçit shfaqet në qendër të qytetit

Lajme

Gazeta Express

08/09/2025 6:56

Në qendër të Bujanocit është shfaqur emri i kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mladiç, i shkruar me të kuqe bashkë me simbole nacionaliste serbe. Ky veprim ka nxitur reagime të forta nga përfaqësuesit politikë shqiptarë në Luginën e Preshevës, të cilët e cilësuan akt provokues, fyes dhe të rrezikshëm për sigurinë publike.

Shaip Kamberi, kryetar i PVD-së dhe deputet në Parlamentin e Serbisë, theksoi se glorifikimi i kriminelëve të luftës po shndërrohet në fenomen të përhapur në Serbi:

“Kjo nuk është vetëm një fyerje për viktimat e luftës, por edhe një përpjekje e rrezikshme për të imponuar krimin si vlerë dhe për ta normalizuar të keqen. Çdo glorifikim i krimit është një akt kundër paqes, kundër drejtësisë dhe kundër së ardhmes së shoqërisë”, deklaroi Kamberi.

Ndërkaq Enkel Rexhepi, kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, tha se ky mbishkrim nuk është thjesht ngjyrë në mur, por “plagë e hapur për familjet e viktimave” dhe tregues i një strukture kriminale të organizuar që qëndron pas këtij akti.

“Të shkruash emrin e një krimineli lufte në zemër të Bujanocit është provokim i ulët dhe fyerje për të gjithë shqiptarët. Këto mbishkrime nuk janë vetëm ngjyrë në mure, por janë plagë të hapura për familjet e viktimave, për popujt që kanë vuajtur nga gjenocidi i këtyre kriminelëve. Ky mbishkrim ka pas vetes një strukturë të organizuar kriminale”, ka shkruar ai.

Për Ragmi Mustafin, ish-kryetar i Këshillit Kombëtar, shkrimi i emrit të Mladiçit në një qytet me shumicë shqiptare është “dëshmi e rrënimit të sigurisë publike dhe e mosndëshkimit institucional”.

Ai kujtoi se raste të ngjashme kanë ndodhur edhe më parë: thyerja e billboard-it të Komandant Lleshit, grafitet me thirrje për vrasje të shqiptarëve tek Shtëpia e Shëndetit, të gjitha pa reagim policor apo institucional.

Mustafi shtoi se këto akte janë pjesë e një procesi më të gjerë të “serbizimit sistematik të Bujanocit”, i cili sipas tij nuk ndodh me dhunë të hapur, por me mjete të sofistikuara: shpifje ndaj shqiptarëve, përjashtim nga institucionet, heqje e simboleve kombëtare dhe ndëshkim ndaj atyre që guxojnë të flasin.

Autoritetet serbe deri tani nuk kanë reaguar për këtë rast.

Ndërsa për fshirjen e afisheve u kujdes vetë Mustafi, i cili i fshiu nga vendi ku shqiptarët e quajnë “Sheshi Skënderbeu”.