"Provat tregojnë se zgjedhjet ishin farsë", Sali Berisha: Elbasani përjetoi agresion toksik dhe drejtësia heshti - Gazeta Express
string(108) "provat-tregojne-se-zgjedhjet-ishin-farse-sali-berisha-elbasani-perjetoi-agresion-toksik-dhe-drejtesia-heshti"

Shqiperi

Gazeta Express

07/07/2025 16:26

“Provat tregojnë se zgjedhjet ishin farsë”, Sali Berisha: Elbasani përjetoi agresion toksik dhe drejtësia heshti

Shqiperi

Gazeta Express

07/07/2025 16:26

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar këtë të hënë akuzat për manipulimin e zgjedhjeve të 11 majit në Shqipëri, të cilat i konsideron si një “farsë elektorale”. Nga një konferencë për shtyp, Berisha publikoi disa video të cilat, sipas tij, tregojnë manipulime të drejtpërdrejta në procesin e votimit, veçanërisht në qarkun e Elbasanit.

“Farsa zgjedhore 11 maj 2025 ishte një farsë universale. Ishte një proces i degraduar dhe i dhunuar në të gjithë shtrirjen dhe segmentet e tij”, tha ai.

Sipas tij, në pamjet që ka publikuar, shfaqen komisionerë që jo vetëm shoqërojnë votuesit në kabinën e votimit, por edhe votojnë vetë për ta.

“Votuesi shkon aty, por plusin po e vendos komisioneri. Tani ai e palos, votuesi ka për detyrë të palosë fletën që e votoi komisioneri. Komisioneri terrorist elektoral”, u shpreh Berisha, duke shtuar se kjo ndodhte në “zonën e kartelit të Suel Çelës”.

Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për orkestrimin e këtij procesi dhe për shkelje të shumta gjatë fushatës, përfshirë shpërndarjen e ndihmave financiare dhe punësime në këmbim të votës.

“Ka shpërndarë 76 milionë euro për pensionistët në mes të fushatës elektorale, 100 euro për pensionist që përbëjnë 48 përqind të votuesve. Ka angazhuar dhjetëra mijëra punonjës të administratës të armatosur me të dhënat sekrete të qytetarëve për t’i terrorizuar apo për t’u premtuar gjëra”, deklaroi ai.

Ndërkohë, nga ambientet e Gjykatës së Posaçme ku është i detyruar të paraqitet dy herë në muaj, Sali Berisha ka komentuar edhe situatën e zjarrit në Landfillin e Elbasanit, të cilin e cilëson si një “katastrofë mjedisore” dhe “agresion toksik”.

“Për 6 ditë me radhë, qytetarët e Elbasanit pësuan agresionin toksik më të madh në historinë e atij qyteti”, tha ai, duke akuzuar institucionet, veçanërisht prokurorinë, për heshtje totale.

Ai i përmendi edhe rastet e zjarreve të përsëritura në Vlorë, që sipas tij ndodhin çdo tre muaj, pa asnjë reagim nga organet përkatëse.

“Fusha e plehrave të Vlorës digjet çdo tre muaj dhe qytetarët thithin lëndë të dëmshme. Për Altin Troplinin, ky krim nuk ekziston, edhe pse ligji ia kërkon që t’i hetojë si krime të rënda”, shtoi Berisha.

Kreu i PD-së foli edhe për hetimet ndaj kompanisë “Bankers Petroleum”, për të cilën janë lëshuar 14 urdhër-arreste. Ai tha se gjatë kohës që ishte në qeveri, kompania ka shlyer të gjitha detyrimet e saj ligjore dhe fiskale.

“Gjatë periudhës tonë ajo ka paguar qindarkë për qindarkë. Ka paguar edhe taksën e karbonit që ne e shtuam, edhe taksën e holluesit dy herë, që në vlerësimin tim ishte e padrejtë”, u shpreh Berisha.