Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, protestoi para Kuvendit të Kosovës me moton: “Karriget tuaja nuk vlejnë më shumë se jeta dhe mirëqenia e fëmijëve”, raporton Ekonomia Online.
Në protestën që u mbajt në sheshin “Ibrahim Rugova”, para Kuvendit të Kosovës, pak para fillimit të vazhdimit të 20-të të seancës konstituive, u kërkua përgjegjësi nga deputetët.
Drejtoresha e KOMF-it, Donjeta Kelemendi, tha se qëllimi i këtij aktiviteti është të nxisë reflektim dhe përgjegjësi institucionale të deputetëve ndaj realitetit të vështirë me të cilin përballen shumë fëmijë në Kosovë dhe nevojave të fëmijëve.
“Si pasojë e kësaj bllokade, shumë politika që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien dhe jetën e fëmijëve vazhdojnë të mbesin të pa miratuara.
KOMF kërkon që deputetët të reflektojnë mbi peshën e përgjegjësisë së tyre. KOMF konsideron që deputetët duhet të marrin përgjegjësinë e tyre kushtetuese dhe ligjore për të vepruar urgjentisht për garantimin e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve.Çdo vendim që dështojnë apo vonojnë ta marrin për fëmijët, është një barrë që e paguajnë fëmijët me shëndetin, mirëqenien dhe shpesh jetën e tyre”, tha ajo./EO/