Protesta e pedagogëve, qeveria vendos: Rritja e pagave nis nga 7% deri në 15% - Gazeta Express
string(73) "protesta-e-pedagogeve-qeveria-vendos-rritja-e-pagave-nis-nga-7-deri-ne-15"

Shqiperi

Gazeta Express

05/10/2022 12:48

Protesta e pedagogëve, qeveria vendos: Rritja e pagave nis nga 7% deri në 15%

Shqiperi

Gazeta Express

05/10/2022 12:48

Qeveria ka marrë vendimin që rritja e pagave për pedagogët të nisë nga 7% deri në 15%. Ministrja e Arsimit Evis Kushi deklaroi për gazetarët se qeveria ka vendosur se përtej shifrës përtej 7% që do të financohet nga buxheti i shtetit, pjesa tjetër do të duhet të financohet nga vetë universitetet.

Sot morëm një vendim të rëndësishëm për pagat e pedagogëve. Po punojmë prej disa kohësh në bashkëpunim. Sot kemi vendosur që pagat të rriten deri në 15%. 7% do mbulohen nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër do paguhet nga vetë universitetet në varësi të të ardhurave të tyre. Janë vetë universitetet që mund të miratojnë edhe rritje përtej këtij niveli minimal. Duhet të kuptojmë që pedagogët të ardhurat i sigurojnë jo vetëm nga paga bazë por kanë dhe shumë mundësi të tjera, ndryshe nga mësuesit, policët, zjarrfikësit, kanë mundësi të tjera jo vetëm nga buxheti i shtetit por dhe nga programet e kërkimit shkencor të BE”, deklaroi Kushi.

Lexo Edhe:

Ky vendim i qeverisë vjen pas protestave të pedagogëve për rritje pagash. Edhe kryeministri Edi Rama tha se universiteti është autonom. Sipas tij, pedagogët kanë mundësinë që përmes fondeve europiane të dyfishojnë rrogën e tyre.

“Dhe atyre që dalin në rrugë dhe le të dalin se janë në të drejtën e tyre s’ka asnjë problem dhe që kërkojnë rritje pagash opshe në emër të të gjithë pedagogëve ju them që nuk jeni mësues, as mësues gjimnazi, as mësues 9-vjeçareje. Nuk jeni as mjekë, as infermierë në shërbimin shëndetësor publik. Nuk jeni as punonjës policie, nuk jeni as ushtarakë, nuk jeni as nëpunës civilë, s’jeni as pensionistë, jo e jo. Të gjithë këta marrin një pagë apo pension fiks. Ndërkohë që pedagogët janë në një hapësirë të ndërmjetme mes mbështetjes shtetërore dhe horizontit ku mjafton të duash dhe ia bën vetes rrogën edhe dyfish, edhe trefish edhe katër edhe pesë me fondet e tjera. Cilat janë fondet e tjera? Janë fondet e vetëfinancimit, janë fondet europiane, janë dhe fondet e universiteteve të tjera private ku shkohet bëhet dhe mësim. Këtu nuk dua të thellohem se këtu ka një histori tjetër, të pagave të deklaruara pjesërisht. Kemi paga që nuk përkojnë me të vërtetën, por kjo është temë tjetër. Nuk e kam për të ngritur problemin, e kam për të thënë se sa shumë potencial ka universiteti. Këtu ka një fakt. Përpara se të futeshim në procesin e ndërkombëtarizimit dhe përpara se sa lidershipi i Universitetit të Tiranës të ndryshonte ne kishim 45 pedagogë që kishin pasur një akses në fondet europiane me projekte. E dini sa kemi sot? Universiteti i Tiranës ka rreth 800 pedagogë. Janë mbi 400 që kanë financim ekstra falë meritës së tyre, falë punës së tyre, falë angazhimit brenda për brenda strukturës dhe falë faktit që nga ne e nisën këtë fazë tjetër pas zgjedhjes së rektorëve të rinj me fondet europiane. Kemi bërë një kapërcim të madh. Mund të marrin akoma shumë më tepër, por ama ishim të fundit në fund të pusit. Sot nuk jemi ndër të parët, por ama jemi duke hedhur hapa falë angazhimit të pedagogëve, rektorëve, dekanëve. Kështu që ne do të bëjmë një rritje një rritje pagash, të mërkurën a të enjten kur është mbledhja e qeverisë prej 7%, por ama do t’i njohim universitetit të drejtën e një tavani për të rritur më tej pagat e pedagogëve sipas vendimmarrjes së vet. S’mund të ketë për botën akademikë një pagë opshe, të gjithë njësoj. Nuk janë të gjithë njësoj. Ata të tjerët po. Universiteti jo. Është autonom. Jeton dhe punon dhe zhvillohet në një hapësirë të ndërmjetme mes shtetit si mbështetës dhe tregut si ofertues”, tha Rama.

Pedagogët kërkojnë që rritja e pagës të jetë më e lartë. Ata kërkojnë që të plotësohen kërkesat e tyre, pasi në të kundërt u shprehën se nuk do të hyjnë në auditore.

/Gazeta Express