Protestuesit janë përleshur me pjesëtarë të forcave të rendit gjatë një proteste opozitare kundër Qeverisë në Shqipëri të premten mbrëma, e cila mbaroi me disa të lënduar, përfshirë deputetë, oficerë dhe protestues.
Protestuesit, pas një fjalimi nga kreu i Partisë Demokratike në opozitë, Sali Berisha, hodhën molotovë dhe fishekzjarrë në drejtim të ndërtesës së Qeverisë së vendit në Tiranë.
Forcat e rendit u detyruan të përdorin topa uji dhe sprej piperi për t’i shpërndarë protestuesit. Por, protestuesit u zhvendosën më pas drejt Kuvendit, ku tentuan të çanin kordonin policor.
Në protestën e së premtes, disa deputetë demokratë, protestues dhe punonjës policie u shoqëruan me autoambulanca për në spital për të marrë mjekim.
Partia më e madhe opozitare në vend ka zhvilluar protesta kohë pas kohe që nga fundi i vitit të kaluar, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike.
Ajo e akuzon Qeverinë socialiste për “korrupsion”, dhe për “bllokimin e drejtësisë”, duke pretenduar se kjo është “pengesë për rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian”.
Shqipëria është në pritje të Raportit mbi Vlerësimin e Përkohshëm të Standardeve (IBAR) te Komisionit Evropian, ku vlerësohet përparimi në sundimin e ligjit, gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit, për kapitujt kyç 23 dhe 24 në negociatat e anëtarësimit.
Vlerësimi pozitiv i këtij dokumenti është parakusht i rëndësishëm që Shqipëria të nisë mbylljen e kapitujve të negociatave të anëtarësimit.
Vitin e kaluar, Shqipëria theu rekord duke hapur brenda një viti të gjithë kapitujt në procesin e bisedimeve për anëtarësim në BE.
Shqipëria synon të jetë pjesë e bllokut para vitit 2030.
Por, protestat antiqeveritare u shtuan pasi Prokuroria e Posaçme, SPAK, ngriti aktakuzë vitin e kaluar ndaj atëherë zëvëndëskryeministres së vendit, Belinda Balluku.
Vendimi i Kuvendit për të mos hequr imunitetin e deputetes për Ballukun e përshkallëzuan më shumë përplasjen politike në vend.
SPAK i kishte kërkuar Kuvendit qysh më 16 dhjetor të vitit të kaluar t’ia hiqte imunitetin Ballukut, pasi prokurorët kërkojnë arrestimin e saj nën akuzat për korrupsion.
Balluku është nën hetime edhe për shtatë procedura të tjera prokurimi që lidhen me disa projekte infrastrukturore në Tiranë.
Më 26 shkurt, kryeministri Edi Rama e shkarkoi Ballukun nga postet qeveritare.
Partia Socialiste është kundër arrestimit të Ballukut, duke argumentuar se ajo nuk mund t’i prishë provat apo të arratiset, nuk mund të përsërisë veprën penale, dhe rruga e SPAK-it për ta hetuar atë është e hapur.
Partia Demokratike ka deklaruar se imuniteti nuk duhet të kthehet në mburojë apo pengesë për drejtësinë./REL/
Në një kohë kur kërkesa për destinacione autentike dhe ende të paprekura po rritet ndjeshëm, veriu i Shqipërisë po...