Pas dështimit të iniciativës për mbrojtjen e klimës në referendum, ambientalistët nisin përgatitjet për një propozim të ri që synon mbështetjen e transportit publik përmes taksimit të udhëtimeve ajrore.
Edhe pse iniciativa për mbrojtjen e klimës nuk arriti të marrë mbështetjen e votuesve në referendumin e mbajtur të dielën, e majta në Zvicër tashmë po përgatit një propozim të ri në fushën e politikave klimatike, përcjell albinfo.ch.
Sipas planit të ri, synohet vendosja e një takse për biletat e avionit, ndërsa të ardhurat e mbledhura nga kjo taksë do të përdoren për të shpërndarë kupona falas për transportin publik për personat që udhëtojnë çdo ditë për në punë dhe jetojnë në Zvicër.
Qëllimi i kësaj nisme është të inkurajojë përdorimin e transportit publik dhe njëkohësisht të reduktojë ndikimin mjedisor të udhëtimeve ajrore.
Për realizimin e kësaj ideje, organizata mjedisore Umverkeh ka bërë të ditur të hënën se do të nisë një iniciativë të re në muajin prill, duke filluar një fushatë për mbledhjen e nënshkrimeve./Albinfo.ch/