Propozimi i Borrellit që shtetet e Ballkanit Perëndimor të hyjnë bllok në BE, komentohet nga njohësit e integrimeve - Gazeta Express

Propozimi i Borrellit që shtetet e Ballkanit Perëndimor të hyjnë bllok në BE, komentohet nga njohësit e integrimeve

Lajme

Gazeta Express

17/09/2020 7:13

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, e ka përmendur disa herë si mundësi që shtetet e Ballkanit Perëndimor, të anëtarësohen si bllok në Bashkimin Evropian. Me këtë ide po pajtohen edhe njohësit e integrimeve evropiane, por e shohin si të vështirë procesin.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka propozuar që vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të hyjnë bllok në BE.

Profesori Universitar, Afrim Hoti, thotë se është një ide e mirë që shtetet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen bllok, por që është e vështirë e realizueshme duke pasur parasysh kriteret e Bashkimit Evropian.

“Mendoj që pos që është ide e mirë, është vështirë e realizueshme në praktikë për faktin që kriteret e Kopenhagenit për anëtarësim në BE janë të përcaktuara tekstualisht dhe kanë në sfond vetëm shtete individuale. Shtetet tashmë janë në stade të ndryshme të rrugës së tyre për integrim, mendoj se ideja e Borrellit është vështirë e realizueshme në praktikë”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Afrim Hoti.

Por, njohësi i politikave evropiane, Emrush Ujkani, thotë se kjo ide duhet të analizohet mirë nga shtetet e Ballkanit Perëndimorë.

“Ballkani Perëndimor duhet ta synojë anëtarësimin e përbashkët. Ky nuk është shembulli i parë. Edhe në vitin 2004 kur në BE u anëtarësuan dhjetë vende, jo të gjitha kanë qenë në nivelin e njëjtë. Prandaj niveli i njëjtë jo domosdoshmërisht duhet të jetë kriter për anëtarësimin në grup të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Emrush Ujkani.

Ndër të tjera, Borell ka thënë se duhet të zgjidhet sa më shpejt problemi mes Kosovës dhe Serbisë, sepse kjo çështje paraqet problem për Bashkimin Evropian.