Në një deklaratë tipike të propagandës zyrtare ruse, ministri i Mbrojtjes Sergey Shoigu tha se një nga qëllimet kryesore të “operacionit special ushtarak” në Ukrainë është “lufta kundër nazizmit që po ringjallet në Perëndim”. Retorika e Shoigut është pjesë e një narrative të gjatë që Kremlini e ka përdorur për të justifikuar agresionin ushtarak kundër Ukrainës dhe për të krijuar imazhin e një përballjeje ekzistenciale me Perëndimin.
“Perëndimi kolektiv synon t’i shkaktojë një disfatë strategjike Rusisë. Për ta arritur këtë, agjencitë perëndimore të inteligjencës po kryejnë aktivitete subversive në shkallë të gjerë kundër vendit tonë”, u shpreh Shoigu. Ai gjithashtu pretendoi se sanksionet ekonomike “të pashembullta” ndaj Rusisë kanë për qëllim nxitjen e pakënaqësisë së brendshme tek qytetarët rusë.
Në të njëjtën linjë retorike, presidenti rus Vladimir Putin, në një intervistë me median shtetërore ruse më 4 maj, theksoi se Rusia ka “forcën dhe mjetet” për ta çuar luftën ndaj Ukrainës në një “përfundim logjik”. Këto deklarata vijnë në një moment kur përpjekjet ndërkombëtare për ndalimin e armiqësive në Ukrainë mbeten të kufizuara, më shumë se tre vjet pas nisjes së pushtimit të plotë nga Moska.
Putin shtoi se aktualisht “nuk ka nevojë për përdorimin e armëve bërthamore” në këtë konflikt, por theksoi se Rusia i ka të gjitha kapacitetet për të arritur qëllimet e saj. “Nuk ka pasur nevojë për të përdorur ato armë [bërthamore] dhe shpresoj se nuk do të jenë të nevojshme”, deklaroi ai.
Kujtojmë se në nëntor, Putin nënshkroi një version të ripërpunuar të doktrinës bërthamore të Rusisë, i cili ulte pragun për përdorimin e armëve atomike, duke zgjeruar rrethanat në të cilat mund të përdoren ato, përfshirë edhe përgjigjen ndaj sulmeve konvencionale më të gjera.
Narrativa zyrtare e Moskës, e mbushur me aludime për “nazizëm perëndimor” dhe kërcënime për përdorim të forcës, shihet nga analistët ndërkombëtarë si përpjekje për të legjitimuar një luftë të paprovokuar dhe për të mbështetur opinionin e brendshëm në Rusi përballë vështirësive të sanksioneve dhe izolimit ndërkombëtar.