Klubi i futbollit Drenica u bë së fundmi me pronarë të rinj.
Kuqezinjtë u privatizuan dhe ranë në duar të biznesmenit kosovar, Faton Seferi, një mërgimtar nga Augsburgu i Gjermanisë.
E Seferi ka zbuluar se sebep që ai të bëhej pronar i klubit të rikthyer në Superligën e Kosovës ishte ish-futbollisti i njohur kosovar, Taulant Dajaku, aktualisht analist në emisionin sportiv “Favorit” në “T7”, shkruan “Gazeta Express”.
“E kemi pas bisedu ku me investu në futboll, unë kam dëgju nga një miku im, të cilin e falënderoj, është nga Drenica dhe ai më tha gjithqysh të vish të na ndihmosh neve në Drenicë. Ai miku im, zotëri Taulant Dajaku më ka bindur që të vi dhe të ndihmoj. Pastaj më ka kontaktuar Komuna e Drenicës”, deklaroi Seferi mbrëmë në Kanal 10.
Pasi u bë me pronarë të rinj, Drenica pritet të bëjë përforcime gjatë verës dhe të jetë një ekip serioz dhe konkurrues në Superligën e futbollit. /Gazeta Express