Pronari i Milanit, Gerry Cardinale ka paraqitur një vizion ambicioz për futbollin italian, duke shprehur dëshirën për t’u takuar me kryeministren Giorgia Meloni për të ndërtuar një plan të përbashkët për ringjalljen e Serie A, ndërsa zbuloi edhe vështirësitë e mëdha që ka hasur në ndërtimin e një stadiumi të ri në Itali krahasuar me SHBA.
Duke folur për “Financial Times” gjatë një dreke në “Milanello”, pak ditë para fitores së derbit të Milanit ndaj Interit, themeluesi i “RedBird Capital Partners” foli hapur për pengesat kulturore dhe politike që ka hasur që prej marrjes së klubit.
“Në SHBA do ta bëja me sy mbyllur,” tha ai për projektin e stadiumit.
“Këtu ka barriera gjuhësore, politike dhe kulturore. Po ndërtoj një stadium dhe dua që të jetë një produkt italian: banka italiane ta financojnë, kompani italiane të garojnë për të drejtat e emrit, dhe bizneset italiane të përfitojnë përreth. Në SHBA do ta bëja pa menduar. Këtu nuk është ekosistemi im”, tha ai.
Pavarësisht këtyre sfidave, ambicia afatgjatë e Cardinale për klubin dhe për futbollin italian mbetet e fortë.
“Do të doja të arrija në pikën ku, nëse kam ndërtuar mjaftueshëm besueshmëri, mund të shkoj në Romë, të ulem me Melonin apo këdo tjetër dhe të them: le të ndërtojmë një plan për të rilançuar Serie A,” tha ai.
“Le ta bëjmë Serie A një nga eksportet më të mëdha të Italisë”, shtoi ai.
Ky është një vizion i guximshëm dhe potencialisht shumë i rëndësishëm, që nëse realizohet, mund të ketë ndikim të madh në pozitën e futbollit italian në arenën ndërkombëtare./GazetaExpress/