Pronari i Chelseat, Todd Boehly, ka pranuar se ka nënshkruar me një lojtar thjesht sepse edhe një rival ishte i interesuar për të.
Në vitin 2022, Boehly, së bashku me Mark Walter, Hansjorg Wyss dhe “Clearlake Capital”, morën drejtimin e Chelseat përmes konsorciumit “BlueCo”, pas largimit të ish-pronarit Roman Abramovich.
Pas ndryshimeve të mëdha në hierarki, me largimin e figurave si Marina Granovskaia dhe Petr Cech, Boehly veproi si drejtor sportiv i përkohshëm nga qershori 2022 deri në janar 2023.
Gjatë verës së vitit 2022, Chelsea shpenzoi shuma të mëdha për të transferuar lojtarë si Wesley Fofana, Marc Cucurella, Raheem Sterling, Kalidou Koulibaly, Carney Chukwuemeka dhe Cesare Casadei.
Ndërkohë, nga “Stamford Bridge” u larguan lojtarë si Timo Werner, Emerson Palmieri dhe Billy Gilmour.
Duke folur së fundmi, Boehly pranoi se “nuk kishte asnjë ide” se çfarë e bën një futbollist të mirë gjatë kohës kur ishte drejtor sportiv i përkohshëm.
Ai zbuloi se vendimi për të shpenzuar 60 milionë paund për Cucurellan u ndikua nga interesi i Manchester City.
Boehly tha: “I gjithë ekipi drejtues u largua. Mbeta si drejtor sportiv i përkohshëm për një verë, pa pasur asnjë ide çfarë e bën një futbollist të mirë, por duke ditur se nëse Manchester City e do Marc Cucurellan, atëherë e dua edhe unë.”
Ai shtoi: “Ishte kaq e thjeshtë.”
Cucurella, 27 vjeç, ka bërë 148 paraqitje në të gjitha garat për “Blutë”, duke shënuar nëntë gola.
Spanjolli ka fituar Ligën e Konferencës dhe Kupën e Botës për Klube.
Në arenën ndërkombëtare, ai ishte pjesë e Spanjës që fitoi EURO 2024, ku dha asistin për golin vendimtar të Mikel Oyarzabal në finale kundër Anglisë./GazetaExpress/